Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ndërkohë që komisioni hetimor parlamentar Rama vazhdonte punën, 12 ekspertë të zgjedhur nga pala socialiste, kanë kryer gjatë orëve të paradites matje në 6 rrugë të kryeqytetit, të rikonstruktuar këto vitet e fundit nga bashkia e Tiranës.

Në bulevardin “Zogu i Parë”, në bulevardin “Zhan D’Ark”, në rrugën “Ali Demi”, në bulevardin “Bajram Curri”, në rrugën “Myslym Keta” dhe në rrugën e “Kavajës”, 6 grupe të përbërë nga dy ekspertë secili, kanë kryer matje në këto rrugë të akuzuara nga komisionerët opozitar të zotit Rama, për vjedhje fondesh.

Grupet e ekspertëve kanë matur gjatësinë dhe gjerësinë e rrugëve, të trotuarëve, si dhe trashësinë e asfaltit. Pasi të kenë përfunduar matjet në 6 rrugët e sipërpërmendura, të 12 ekspertët do të thirren përpara komisionit për të dhënë konkluzionet, të cilat do të krahasohen me të dhëna të cilat janë prezantuar nga bashkia e Tiranës.

Ditë më parë kanë dalë për të bërë matjen në disa prej këtyre rrugëve dhe ekspertët e opozitës. Kryetari i komisionit Sokol Olldashi, deklaroi në përfundim të matjeve, se përmasat e deklaruara në dokumentacionet e paraqitura nga bashkia e Tiranës, nuk përputhen me përmasat që dolën pas matjeve, që bënë ekspertët e zgjedhur prej opozitës./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka