Lajme Arkiva 2003
Absurditeti ballkanas është në qendër të pikturave të Violeta Xhaferrit në ekspozitën e saj të të titulluar “Klik 22”. Nëpërmjet kësaj ekspozite artistja e lindur në Kosovë por që aktualisht jeton në Maqedoni, rrëfen të gjitha përjetimet e saj në atë që ajo e quan një realitet absurd të mbushur me dhunë dhe urrejtje.
Kjo është ekspozita e saj e parë personale e çelur në Tiranë në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe përmbledh një cikël pikturash të realizuara gjatë 8 viteve të fundit. Piktorja e ka quajtur një pjesë të ekspozitës së saj, e cila përmban në vetvete rreth 70 piktura si një ndërrim stacionesh televizive, ashtu siç i ndodh rëndom dikujt kur ka një komandë televizori në dorë.
Lajmet e hidhura që dëgjojmë nëpër televizione, filmat e dhunshëm apo pastrimet etnike në këtë shoqëri jonormale, fshihen papritur nga reklamat e bukura dhe plotë dritë, konkurset e bukurisë apo filmat porno.
Violeta Xhaferri: Për vetë faktin se kam qenë jashtë vendit në kohën kur janë zhvilluar këto ngjarje më të rënda, pra lufta në Kosovë. Në një farë mënyre e kam ndier veten të obliguar që të punoj edhe në pikturë atë që më preokupon, çfarë më ka preokupuar në atë kohë. E ndiej ndoshta në një mënyrë si një lloj borxhi që po e kthej sonte si një krijuese jashtë vendit, nuk kam pasur shans tjetër që të dëshmoj diçka e të ndihmoj dh ky është një lloj borxhi që e ktheva.
Tablotë me ngjyra të ndezura dhe të rrëmbyeshme, krijojnë te shikuesi një marramendje, kjo sipas kritikëve pasi vrazhdësia e botës ku ne jetojmë është trajtuar në mënyrë mjaft reale në pikturat e Violeta Xhaferrit, artistes shqiptare që i ka mbuluar muret e galerisë me një satirë politike të mbështetur në realitetin e përditshëm në të cilin jetojmë./tvklan.al