Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Ka startuar mbrëmë në Elbasan mitingu ndërkombëtar teatror. Elbasani është transformuar këto ditë në kryeqytetin e kulturës shqiptare. Në një ceremoni Teatri “Skampa” ka pritur aktorët dhe trupat pjesmarrëse në këtë miting. Pas fjalës së drejtorit të Teatrit “Skampa” Demosten Papa dhe organizatorëve të tjerë mitingun teatrot e ka përshëndetur Ministri i Kulturës Edi Rama, i cili me këtë rast premtoi rindërtimin e plotë të Teatrit Kombëtar.
Trupa e parë që ka hapur aktivitetin ishte trupa boshnjake me shfaqjen “Trëndafili në tatuazh”. Loja e aktorëve nga Sarajeva është pëlqyer dhe duartrokitur gjatë nga artëdashësit elbasanas. Ndërsa sot është organizuar konferenca e shtypit me aktorët boshnjak.
Po sot mitingun ndërkombëtar teatror, ka vazhduar me trupen e Publimedia “Darka e të marrëve”. Incidenti i vetëm që ka ndodhur lidhet me aktorin Kadri Roshi. Artistit të Popullit Kadri Roshi i ishte premtuar një pjesë në hapjen e mitingut me vargje të Rubairës së Omer Khajanit. Por kur ai ishte përgatitur të recitoje mësohet se kjo pjesë i është besuar një tjetër aktori të njohur me pretekstin se Roshi nuk mund të interpretonte pasi ishte i semurë.
Aktori Kadri Roshi ka qëndruar deri në fund të aktivitetit duke duartrokitur lojën e kolegëve të tij./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj