Të gjitha klinikat shëndetësore që nuk eliminojnë siç duhet mbetjet spitalore do të mbyllen nga Autoriteti Shëndetësor Rajonal.
Sipas drejtorit të këtij institucioni, eliminimi i mbetjeve spitalore; shiringa, garza, plazma, apo mbetjet e operacioneve, duhet të asgjësohen në krematoriume, në të kundër shkelësit e këtij rregulli do të penalizohen.
Mhill Gecaj: “Asnjë licencë e cila nuk plotëson standardet sipas vendimit të qeverisë ku përfshihet edhe eliminimi i mbetjeve spitalore nuk do të marrë licencë nga autoritetet shëndetësore. Të gjitha ato klinika, të cilat ne i kemi gjet të licencuara në rast se nuk kanë kontrata me krematoriumet apo me qendrat, të cilat merren direkt me eliminimin e mbetjeve spitalore do të ketë vendim mbyllje.”
Një zgjidhje tjetër e ofruar për klinikat që duan të mbijetojnë në fushën e shëndetësisë është edhe pajisja e tyre me aerosteril, që bën sterilizimin mbetjeve spitalore.
Mhill Gecaj: “Qendrat shëndetësore të vogla, të cilat kanë një numër të vogël po them në sasi poshtë 5 kilogram duhet të kenë aerosteril, të cilët bëjnë të mundur desterilizimin e tyre që këto mos të bëhen të dëmshme për popullatën, por nuk mundet dot që një qendër shëndetësore t’i marrë ato mbetje spitalore t’i djegin në ambiente të hapura publike.”
Autoriteti Shëndetësor Rajonal e konsideron moseliminimin e këtyre mbetjeve sipas standardeve, si një prej shqetësimeve kryesore.
Tashmë është faktuar se djegia apo hedhja e tyre në ambiente të hapura përhap sëmundje të ndryshme infektive me pasoja të rënda./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami