“Një tjetër ndalesë për eksperimentin ‘Shqipëria’”. Kështu shkruan italiania La Repubblica duke iu referuar një vendimi të Gjykatës së Romës që kanë pezulluar gjykimin për verifikimin e ndalimit të shtatë emigrantëve që u dërguan në Shqipëri me anijen Libra, duke e referuar çështjen në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.

Duke qenë se arrestimi i urdhëruar nga kreu i policisë së Romës nuk u verifikua brenda 48 orësh, siç kërkohet nga ligji, emigrantët nga Egjipti dhe Bangladeshi janë të lirë. Prandaj ata nuk mund të qëndrojnë në Shqipëri si pjesë e protokollit të nënshkruar nga Giorgia Meloni dhe Edi Rama dhe duhet të kthehen në Itali.

“Ata do të kthehen në Brindisi në orët në vijim”, shkruan La Reppublica.

Klan News mësoi se emigrantët pritet që të nisen brenda mbrëmjes së sotme.

“Kanë vetëm pak minuta që kanë hyrë brenda qendrës pritëse në Shëngjin. Janë në proceset e fundit për tu larguar nga toka shqiptare nga anija Libra që i solli vetëm tre ditë më parë. Sot në mbrëmje ata do të largohen me këtë anije”, raportoi gazetari Martin Marku nga porti i Shëngjinit.

Pesë prej këtyre emigrantëve ju mohua përkohësisht e drejta për azil nga komisioni përkatës sipas procedurave të përshpejtuara në kufi.

Kështu që seancat dëgjimore për ndalimet ishin të panevojshme për ta, shpjegon Rosa Emanuele La Faro, avokate për të drejtat e të huajve dhe politikave për emigrantët.

Ndërkohë po vlerësohen historitë e dy emigrantëve të tjerë, për të cilët komisioni nuk ka vendosur ende. Sidoqoftë, për shkak të vendimit të Gjykatës së Romës ata nuk mund të mbahen më në Gjadër, sqaron La Reppublica.

Vendimi i Gjykatës së Romës prek grupin e dytë të personave që janë dërguar në Gjadër.

Kujtojmë se grupi i parë prej 16 emigrantësh mbërriti më 16 Tetor, por disa prej tyre u kthyen pas që atë natë për të shkak të moshës dhe problemeve shëndetësore, ndërsa pjesa tjetër u kthye ditën tjetër, pas vendimit të Gjykatës së Romës e cila thoshte që një vend të konsiderohet i sigurtë ai duhet të jetë i tillë në të gjithë territorin e tij.

Pas këtij vendimi, qeveria italiane miratoi një dekret me fuqinë e ligjit, duke rifreskuar listën e vendeve të sigurta dhe duke i hapur rrugë vazhdimit të operacionit për transferimin në Shqipëri të emigrantëve të paligjshëm të kapur në ujërat e Mesdheut.

Mirëpo edhe pas këtij vendimi të qeverisë, Gjykata e Romës ka vepruar sërish duke u shprehur se “kriteri për përcaktimin e një shteti si vend të sigurtë origjine përcaktohen nga ligji i Bashkimit Europian” dhe gjykatësi ka detyrën “gjithmonë dhe konkretisht të verifikojë implementimin korrekt të ligjit të unionit, i cili mbizotëron mbi ligjin kombëtar kur është i papajtueshëm me të, siç përcakton Kushtetuta italiane”./tvklan.al