Emigrantët e transferuar në qendrat e pritjes në vendin tonë duhet të kthehen në Itali. Ky është vendimi i Gjykatës së Romës që lidhet me vendet e tyre të origjinës, përkatësisht Egjipti dhe Bangladeshi. Sipas gjykatës këto nuk janë vende të sigurta.

Vendimi nuk ka të bëjë me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë. Por shkak është bërë një vendim i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, dhënë më 4 tetor, pak ditë para hapjes së qendrave në Shëngjin e Gjadër.

Sipas kësaj gjykate, që një vend origjine të quhet i sigurt, ai duhet të jetë i tillë në të gjithë territorin e tij dhe kundrejt çdo individi, cili duhet të jetë i mbrojtur nga persekutimet, diskriminimet apo torturat në çdo cep të vendit. Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë, emigrantët strehohen në qendrat e pritjes deri në pritje të riatdhesimit në vendet e tyre të origjinës.

16 emigrantët e parë mbërritën në vendin tonë 3 ditë më parë, por 4 prej tyre u kthyen në shtetin përtej Adriatikut pasi gjatë kontrollit në portin e Shëngjinit rezultuan se 2 prej tyre ishin të mitur dhe 2 të tjerë me probleme shëndetësore.

Emigrantët u shpëtuan natën e 13 tetorit nga policia në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve italiane dhe u transferuan me anijen Libra në portin e Shëngjinit dhe prej andej në qendrën e pritjes në Gjadër.

Klan News