Këtë mbrëmje në “Histori me Zhurmues” do të qëndrojmë në disa nga ngjarjet e vitit 1963. Është viti kur boksi profesionist hiqet nga kalendari sportiv. Si dhe pse u ndalua boksi ne Shqipëri.
Një nga personalitet e shquara të boksit do të tregoje për kohën kur ky sport u ndërpre për të rifilluar pas viteve ‘90.
Si e priti në përgjithësi opinioni sportiv këtë vendim dhe boksierët në veçanti. Cilat ishin shkaqet që e çuan Ahmet Golemin në burg dhe pasqyrimi i tyre në shkrimet e tij? Historia e një boksieri të apasionuar për letërsinë.
Ahmet Golemi: “Unë për të kam shkruar nuk përmend emra se ka ndërruar jetë. Midis të tjerash .. demek që i dimë të gjitha, ke marrë një tortë tha 50 lekëshe, kafe Tirana nga gëzimi i madh për Muhamed Aliun që i ke folur të rinjve me pasion për të, ndërkohë që boksi ishte i ndaluar”.
Dhori Gernjoti, një tjetër boksier do të jete personazhi i radhës në “Histori me Zhurmues”, i cili mendonte se e ardhmja e tij ishte në ringun profesionist.
Tentativa e pare për arratisje nga Shqipëria si dhe tentative tjetër për arratisje nga burgu, janë ngjarjet ku do të qëndrojë mbrëmjes së sotme ish-boksieri në rrëfimet e tij.
Dhori Gernjoti: “Unë si person që kam hyrë në aktivitet tamam ka qenë viti ’59. Në ’59, ’60, ’61, ’62. Unë i dhashë fund boksit se boksi mori fund në ’63-shin që e hoqi me ligj, që u hoq nga regjimi. Po 1 vit përpara pata një fatkeqësi rashë brenda në burg”.
Uran Kostreci, mësuesi dhe poeti që njohu diktaturën komuniste dhe tentoi të arratisej, është një tjetër i ftuar për sonte. Dënimi dhe ridënimi në burgun e Burrelit si dhe më pas internimi janë tre etapat që kaloi jeta e tij. Është kjo ndalesa e fundit për sonte në “Histori me zhurmues”.
Uran Kostreci: “Pata dhe një poezi për Enver Hoxhën, kundër Enver Hoxhës që e mbaja mend po noj herë e hidhja në të pastër që të bëja ndonjë rregullim. Dhe një ditë aty, se nuk dua që të përmend emrin e një njeriu që qe i dyshimtë në dhomë ku ishim me arsimtarë, unë harrova librin dhe për 2 minuta u ktheva, e nuk e gjeta atë. Pra ajo që unë kisha ndërmend me kohë që ta bënja që të nisje të ikje u bë e detyrueshme të ikje menjëherë se thash ajo do vazhdojë”.
Të dielën e ardhshme do të ndalojmë në vitin 1949 me disa nga faktet dhe historitë e rëndësishme të këtij viti./tvklan.al