Disa nga momentet e vitit 1980 do të jenë sonte temat e programit televiziv, “Histori me zhurmues”.

Jemi në vitin e izolimit të plotë të Shqipërisë nga bota. Koha e dyqaneve të zbrazura, e tollonave, iniciativave të tufëzimit të gjithçkaje, gjë që thelloi krizën ekonomike.

Specialistë dhe dëshmitarë të këtyre proceseve do të rrëfejnë si dhe pse ndodhi që ekonomia blegtorale të marrë rrokullimën dhe fshatarët të çlirohen nga prona private, por jo vetëm kaq.

Edhe qytetarët filluan të ndjejnë krizën e qumështit dhe mishit.

Pandi Laço: “Përse specialistët nuk e ngrinin zërin ndaj këtyre fenomeneve?”

“Po kjo ishte një politikë e centralizuar, ishte e diktuar dhe duhet ta zbatoje, ndryshe pësoje fatin e disave që kanë folur edhe në studion tuaj.”

Por sporti i qitjes në këto vjet nxjerr talente dhe kampionë Evrope duke bërë që vit pas viti në arenën ndërkombëtare të dëgjohet zëri i Shqipërisë.

Ermira Dingu, kampione e Evropës në vitin 1980, do të sjellë kujtimet e Madridit, surprizat e garës dhe emocionet e fishekut të fundit.

Ermira Dingu: “Sukses për mua qe që më në fund ma ngritën tabelën e 60-të. Ia bëra të gjitha shërbimet e atij fisheku dhe ai fishek shkoi 10, prandaj qe kampionat evropian me fishekun e fundit.”

Janë vitet e nismave revolucionare, por edhe vitet e absurdit për ta bërë fshatin si qyteti. Mijëra kuadro të rinj emërohen në zonat e thella malore, por cilat ishin qëllimet dhe pasojat e politikës së transferimeve në masë?

“Në fshat ishte ndonjë dënim. Ne nuk shkonim për t’u dënuar në fshat. Ne shkonim se na emëruan atje, por kur kishte kushte më të mira atëherë pse mos të pretendonim për më të mirën?”

Emancipim apo ç’feminizim? Historia e gruas shqiptare në vitet më të vështira ekonomike, internimet dhe varfëria. Cili ishte sfondi dhe portreti i femrës në vitet ’80?

Pandi Laço: “Po për veten si mund të përkujdesej një grua, ndërkohë që të gjithë ditën i kalonte në punë, në fushë?”

Valentina Toro: “Të më besosh në behar të gjitha gratë i kishin buzët e çara, të gjitha gratë iu pihej ujë, lodheshin, bëheshin. Ku të na vije na zinte gjumi. Po të na vije në…, aty kudo që ishim si mund të mendohej për t’u veshur, për t’u stolisur kjo grua? Ai tha ju jeni dy. Unë kujt t’ia jap kokën e rozës nga juve të dy? Kaq ishte varfëria. Erdhi një periudhë që u bë shumë e egër”.

Pandi Laço: “Po furnizimi nga bëhej nëpër ferma?

Valentina Toro: “Furnizimi bëhej nga bashkia, quhej një qendër nga Vlora dhe ishte e njësuar, të gjithë njësoj. Mishi ishte kur mund të sëmurej një lopë në fshat që do ta thernin, që do merrte fshati nga 1 kile, nga 2 kile sa mund ta pjesëtonin ato mishin. Bulmeti, kur vinte gjiza që vinte në fshat ishte festë”.

Kronikat e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit edhe këtë mbrëmje do të ilustrojnë ngjarjet e vitit 1980, materiale filmike që do të jenë si gjithmonë pasqyra e një tjetër faqeje të “Historisë sonë me zhurmues”./tvklan.al