Ermal Onuzi do të jetë drejtori i ri i Gardës së Republikës. Ai u përzgjodh nga një proces i hapur konkurrimi. Prezantimi i drejtorit të ri u bë nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha.
“Vizita ime e parë në Komandën e Gardës lidhet me një moment të rëndësishëm, me prezantimin e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, z. Ermal Onuzi, i cili u përzgjodh pas një procesi të hapur konkurrimi, me kandidatura të mira e profesionistë të fushës së sigurisë. I urova zotit Onuzi suksese në detyrën e rëndësishme, duke besuar fort se do të çojë para punët e nisura, për ta kthyer këtë trupë, në elitare.”
Ministri i Brendshëm në takim me drejtuesit e Gardës theksoi se vijimi i reformimit të këtij institucioni, është i domosdoshëm.
“Kjo për ta bërë atë më efiçente në përmbushjen e misionit dhe detyrave për të garantuar sigurinë e personaliteteve të larta, të organeve të reja të drejtësisë, duke e shndërruar në një institucion modern e profesional. Shqipëria, ashtu si viti që lamë pas, do të presë në vijim forume politike të rëndësishme ndërkombëtare. Ndaj theksova se duhet angazhimi, që në bashkëpunim edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese të sigurohet mbarëvajtja e aktiviteteve.”
Ministri premtoi se do të bëjë gjithçka me synimin që efektivët e Gardës së Republikës të jenë profesionistë të vërtetë, të dedikuar dhe të varur vetëm nga forca e ligjit. Ai falënderoi ish-Drejtorin e Gardës Gramos Sako, që për mbi 10 vite udhëhoqi procesin e transformimit dhe reformimit të këtij intitucioni si dhe Drejtorin e Komanduar Sami Kuti, që drejtoi Gardën për disa muaj.
Klan News