Ish-kapiteni i Kombëtares Ansi Agolli, i cili ka veshur 73 herë fanellën e kuqezi, dha një intervistë për gazetarin Besard Jacaj në Klan News, ku foli për situatën në grupin B të Euro 2024.
“Për mendimin tim, e përgjithshmja është pozitive për atë që ka arritur skuadra jonë, me arritjen në grupet e Europianit. Unë mendoj se është mbi mesataren të luash përballë Italisë, e cila ka një peshë të madhe të fanellës”, tha Agolli.
“Edhe ndeshja me Kroacinë është një ndeshje me presion të madh, ka shumë rëndësi mentaliteti i duhur, Lojtarët duhet të hyjnë në fushë me mentalitetin e duhur. Ne kemi lojtarë të mirë dhe besoj se do të hyjnë në fushë me mentalitetin e duhur. Loja është 90 minuta dhe mendoj se fryma duhet të jetë pozitive, edhe kur shënon edhe kur pëson. Pra duhet të dinë të reagojnë pavarësisht rezultatit momental. Kroacia në vitet e fundit çedon pak në mbrojtje, por janë nënkampionë bote. Unë pashë se Kroacia luajti si e barabartë përballë Spanjës”, shtoi ai.
Agolli vlerëson se mbrojtja e Kombëtares Shqiptare ka potencial të bëjë më mirë.
“Do të doja ta shihja pak mbrojtjen më të lidhur. Në disa raste i shkoj në vështirësi mbrojtësit tanë, mendoj se kanë potencial të bëjnë më mirë. Doja ta shihja pak më të ”ngushtë” mbrojtjen tonë. Në 2016 ishte paksa surprizë që Gjimshitit ishte jashtë grumbullimit dhe u la jashtë Europianit. Por ja ku është sot, kapiteni ynë”.
Ish-kapiteni në fund foli dhe për projektet e tij profesionale në SHBA.
“Akademia ime ka ecur mjaft mirë, është rritur shumë. Unë pëlqej ta mbaj veten të angazhuar dhe po drejtoj një ekip nën 16-vjeçarësh“, shtoi Agolli./tvklan.al