Disa shtete anëtare propozojnë si afat për zgjerimin vitin 2030
Përshpejtimi i zgjerimit dhe vendosja e afateve të qarta kohore se kur kjo do të ndodhë ishte në qendër të takimit të kryediplomatëve të shteteve anëtare në Komisionin për Politikën e Jashtme të Parlamentit evropian.
Eurodeputetet në fjalimet e tyre, kërkuan që vendet e BE-së siç është rasti i Greqisë dhe Bullgarisë së fundmi të jenë më korrekte në vendimet e tyre dhe të mos bllokojnë vendet kandidate, kur ato t’i përmbushin kriteret në procesin e zgjerimit. Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon mbështeti idenë që viti 2030 të jetë vit kur BE-ja dhe vendet anëtare duhet të jenë gati për zgjerim.
“Duke vonuar hapjen e kapituve të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë ne kemi humbur besueshmërinë tonë. Këto vonesa janë të pajustifikueshme. Një shembull tjetër i vonesave në këtë drejtim ishte pritja e gjatë për heqjen e vizave për Kosovën. Ne duam që ta shohim të zgjeruar Evropën brenda vitit 2030 afat që u propozua nga presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel. Ne duhet të fokusohemi në këtë afat kohor për shtete ballkanike.”
Fajon tha se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe tri vendet lindore Ukraina Moldavia e Gjorgjia mund të avancojnë paralelisht drejt BE-së. Sekretari hungarez i Shtetit, Peter Sztaray, tha se në pjesën e dytë të vitit, kur Hungaria do ta ketë kryesimin e radhës të BE-së, zgjerimi do të jetë prioritet.
“Për Hungarinë zgjerimi gradual ka rëndësi gjeostrategjike. Do të donin që gjatë vitit 2024 të hapim kapituj të ri negociues me Serbinë, të nisim negociatat konkrete me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne duam qe të mbyllim disa kapituj me Malin e Zi si dhe të nisim negociatat edhe me Bosnje e Hercegovinën.”
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, tha se zgjerimi i BE-së do të jetë temë edhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet evropiane, ndaj kërkoi nga Komisioni i ri Evropian të dalë me propozimin për reformat që BE-ja duhet t’i bëjë për t’u përgatitur për zgjerimin.
Edhe ministrat nga vendet baltike, kritikuan BE-në për ngadalësimin e procesit të zgjerimit dhe për mos vendosjen e afateve kohore.
Klan News