Erisa Zykaj: “Bashkimi Evropian është shumë i shqetësuar me situatën në Greqi, pasi Greqia destabilizon zonën Euro. Mos të harrojmë që deri tani euro ka qenë shumë e fortë duke i bërë një konkurrencë të vërtetë dollarit, por me deficitin buxhetor në Greqi është e gjithë zona Euro që është e rrezikuar, madje jo vetëm me Greqinë, por edhe me dy vende të tjera si Spanja dhe Portugalia, shkak për të cilin, vendet anëtare dhe presidenti Van Rompuy kanë kërkuar një samit të jashtëzakonshëm javën e ardhshme.”
Joaquin Almunia: “ Lista e masave korrigjuese që duhet të zbatojë Greqia, do të monitorohet që në ditën e parë pas vendimit të ministrave të financave dhe atyre të zonës Euro. Afati i parë për monitorimin është një muaj pas këtij vendimi, që do të thotë 16 mars. Nëse vendimet nuk do merren nga autoritetet greke, pavarësisht se kush thotë çfarë, tregu financiar do t’i nënshtrohet një presioni më të madh dhe të fortë. Në këtë rast, ne do t’i kërkojmë autoriteteve greke, që të marrin masa shtesë, në mënyrë që t’i kthejnë kredibilitetin ekonomisë së tyre”.
Jean-Claude Trichet: “Banka Qendrore Evropiane e ka aprovuar planin e rimëkëmbjes financiare dhe strukturore të qeverisë greke, për të ulur deficitin buxhetor publik në më pak se 3% deri në 2012. Jemi të bindur, se qeveria greke do të adoptojë vendimet e duhura që do të mundësojnë arritjen e këtij qëllimi”.
Ania Vedenwskaia: “Sipas mendimit tim ka vite që institucionet evropiane janë në dijeni që Greqia ka një problem me ekonominë informale, ekonominë e zezë, por është vetëm tani që të gjithë flasin hapur që Greqia ka një ekonomi të zezë në nivelin 40% ose më shumë. Qytetarët nuk janë mësuar duke paguar taksa dhe kjo lidhet me një kulturë jetese. Por institucionet evropiane kanë konsideruar deri tani se i duhen lënë koha e duhur qytetarëve të këtij vendi që të korrigjonin këtë situatë. Sigurisht që me shpërthimin e krizës ekonomike globale kjo situatë nuk mund të fshihej dhe ishte e pamundur që të mbuloheshin problemet. Fragmentacioni i shoqërisë në Greqi bën që secili të mendojë se miku, kushëriri apo i njohuri i tij nuk paguan taksa ndaj edhe ai s’ka pse t’i paguaj. Pra është një problem që lidhet me kulturën e të jetuarit në Greqi dhe ai duhet trajtuar në këtë aspekt. Por për fat të keq i vihet shumë theksi aspektit të legjislacionit dhe korrigjimi i situatës nëpërmjet tij mund të funksionojë në vendet nordike, por jo në Greqi. Frika për zonën e Euros është pak e ekzagjeruar, pasi Euro vazhdon të jetë shumë i fortë, por ajo që del në pah këtë herë, është se duhet folur për problemet në kohë, duhet të ketë më shumë transparencë dhe jo të pritet momenti i fundit, kur situata përshkallëzohet”
Erisa Zykaj: “Marrëveshja për monitorimin e transferimit të parave brenda territorit të Bashkimit Evropian ose midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është ende në fuqi pasi Këshilli i Ministrave konsideron se kjo marrëveshje mund të cenojë të dhënat personale të qytetarëve, por që pas 1 shtatorit transferimi i parave dhe monitorimi i tyre është bërë i domosdoshëm për luftën kundër terrorizmit ndaj parlamenti evropian konsideron se ai mbron interesat e qytetarëve evropian dhe duhet të hyjë sa më shpejt në fuqi.”
Jeanine Hennis-Plasschaert: “Shkëmbimi i të dhënave financiare midis vendeve anëtare dhe BE-së e SHBA-ve ëshë shumë i rëndësishëm për luftën kundër terrorizmit, por ka një dallim. Në situatën aktuale në Bashkimin Evropian nëse do të gjesh të dhëna bankare për një person të dyshuar atëherë t’i mund të zbulosh aktivitetin e tij financiar duke pasur një urdhër mandat gjykate. Marrëveshja SWIFT që ne jemi duke aprovuar do t’i lejojë SHBA-ve që të kenë të dhëna të miliona qytetarëve evropianë pa pasur siguri të mjaftueshëm që këto të dhëna do të përdoren në përputhje me standardet evropiane. Ne kemi rezerva ligjore pasi disa parime themelore si ajo e proporcionalitetit dhe e nevojës janë shkelur brenda marrëveshjes aktuale. Problem tjetër është që s’kemi të drejtë të konsultojmë të gjithë dokumentet dhe informacionin e duhur ndaj është e vështirë që të japim mbështetjen tonë, por javën e ardhshme në seancën plenare gjërat pritet të ndryshojnë. Marrëveshja SËIFT është fillimisht një marrëveshje e përkohshme prej 9 muajsh dhe do të vijohet nga një tjetër e përhershme. Nëse ne duam të jemi të sigurt që marrëveshja e përhershme do të respektojë parimet e proporcionalitetit dhe nevojës atëherë këshilli i ministrave duhet të aprovojë sa më shpejt këtë marrëveshje me rekomandimet që kemi bërë ne.”
Erisa Zykaj: “Për të evituar që Shqipëria të futet në kategorinë e vendeve problematike për klimën politike Bashkimi Evropian kërkon që situata e krijuar si rrjedhim i bojkotit të opozitës shqiptare të zgjidhet sa më shpejt, madje vizita e mundshme e Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian në Shqipëri mund të jetë dhe një shtysë më shumë.
Miguel Angel Morations: “Dialogu është gjithnjë i mirë dhe shpresojmë që vijueshmëria politike e Shqipërisë të jetë pozitive. Besoj se të gjithë forcat politike po angazhohen dhe duhet investuar mbi këtë angazhim. Ne duam të ndihmojmë dhe kjo bën pjesë edhe në angazhimet e presidencës spanjolle që Shqipëria që ka prezantuar kandidaturën e saj për anëtarësim të mund të avancojë gjatë presidencës spanjolle. Jemi të bindur se e ardhmja e vendit është në gjirin e Bashkimit Evropian.”
Jelko Kacin: “Lajmi që do të ketë dialog është një shporesh, por problemi specifik për Shqipërinë është se shpesh nevojitet arritja e një rezultati. Të angazhohesh për diçka nuk do të thotë që ta bësh atë. Kështu që le të presim. Shpresoj që opozita do të tregojë pjekurinë e duhur për të përdorur kornizën demokratike për të promovuar qëndrimet e saj politike dhe për tu përballur me qeverinë që drejton vendin.”
Erisa Zykaj: “Euroklan mbaron këtu këtë javë, mirupafshim javën e ardhshme për ngjarje të reja mbi Evropën dhe Ballkanin”./tvklan.al