Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të urojë të gjithë shqiptarët me rastin e Vitit të Ri, me anë të një video ku shpreh falenderimin e tij “për të gjithë ata që sot punojnë kaq shumë në Shqipëri“.

Në mbyllje të këtij viti të jashtëzakonshëm në historinë e jetës sonë, përulem me #respekt e #mirënjohje ndaj çdo shqiptari, që me rezistencën e me punën e tij i dha përpjekjes sonë karakterin e saj të fortë përballë sfidash kaq të mëdha, ndërsa mua vetë më dha me forcën e shembullit, energjinë e kurajon për t’u zgjuar çdo ditë me dëshirën e madhe që të jap gjithçka mundem, për Shqipërinë e për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi”, shkruan ai.

Video & mesazhi i plotë:

“Të gjithë mendojnë se bëjnë punën më të vështirë. Edhe unë mendoj që kjo punë që bëj është puna më e vështirë. Unë punoj shumë. Problemet që duhet të zgjidh çdo ditë janë të pafundme, lere pastaj ‘bum tërmeti, bam Covid-i. Çfarë sfidash…

Por prapë se prapë, puna më e vështirë është puna e atyre që duhet të vrapojnë për të dhënë ndihmën e parë për njerëzit në rrezik jete. Madje, nën rrënojat e tërmetit…

Puna më e vështirë është e në duart e atyre që ndërtojnë shtëpitë dhe shkollat, në të nxehtë e në të ftohtë, ditën e natën, për të kthyer sa më parë familjet në shtëpi dhe fëmijët në shkollat e tyre.

Puna më e vështirë është puna pa orar dhe pa të diela, e mjekëve, infermierëve, punonjësve të kujdesit shëndetësor, që tash sa kohë, thuajse qysh se s’mbahet mend luftojnë kundër Covid-it.

Puna më e vështirë është puna e shqiptarëve të zakonshëm, që jetojnë dhe punojnë duke mbajtur familjet e tyre, edhe në këtë kohë kaq të jashtëzakonshme pandemie, apo rimëkëmbje pas tërmetit.

Puna më e vështirë është e prindërve që luftojnë për t’u dhënë fëmijëve të tyre një të ardhme të sigurtë, një Shqipëri të fortë dhe të shëndetshme.

Shembulli i tyre ma bën punën time më të lehtë. Ata janë arsyeja përse unë zgjohem çdo mëngjes me një dëshirë kaq të madhe, për të luftuar që të bëj më të mirën çdo ditë, për vendin tim.

Për njerëzit tanë, për një jetë më të mirë, një të ardhme më të ndritshme. Të gjithë njerëzit që sot punojnë kaq shumë në Shqipëri, e të gjitha familjet e tyre, dua t’i falenderoj me mirënjohje nga zemra për gjithçka më japin dhe gjithçka i japin këtij vendi dhe t’ju uroj një Vit të Ri siç ua do zemra, e siç padyshim e meritojnë të gjithë”./tvklan.al