Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas kërkesës për zhvarrosjen e të afërmit të tyre dhe kryerjen e ekspertizës nga e para, familja Tahirllari kërkon ndjekje penale për tre persona, të cilët kanë deklaruar pas vdekjes së Gazmend Tahirllarit, se ai nuk është dhunuar nga policia.

“Sot erdha nga Goskova dhe po bëjë kallëzim në prokurori, për prokurorin dhe mjekun ligjor dhe komandantin e policisë”.

Reagimi i familjes nga fshati Goskovë i Korçës erdhi pas deklarimit të mjekëve ligjor nga Tirana që morën pjesë në ekspertizën e kufomës së zhvarrosur, se tek viktima kishte shenja të dukshme dhune. Megjithatë, mjekësia ligjore është ende në pritje të përfundimeve të një tjetër ekspertize, që po i bëhet pjesëve të trurit të kufomës dhe kampionit të gjakut, që iu mor ditën e shtunë.

Edhe përfaqësuesit e prokurorisë së përgjithshme presin rezultatet e kësaj ekspertize. Pas kësaj ata pritet të japin një qëndrim nëse mjekët e Korçës mbajnë përgjegjësi ligjore, për akuzën që kanë drejtuar të afërmit e Gazmend Tahirllarit./tvklan.al