Seanca parlamentare parashikohet të zhvillohet me debate të ashpra, pasi do të jenë deputetët e opozitës që do të këmbëngulin me çdo kusht që të kalojë për shqyrtim projektligji për ish të përndjekurit politik. Sipas deputetit demokrat Fatos Beja, nuk do të lejojnë të shkelet rregullorja e parlamentit.

Fatos Beja: Por ne jemi fare të qartë që ne duhet të këmbëngulim që  të zbatohet ligji, të zbatohet rregullorja në mënyrë që parlamenti të funksionojë. Herën e fundit u hodh në votim dhe nuk mori votat e  nevojshme për t’u nxjerrë nga kalendari dhe përderisa seanca u shpreh, domethënë është  e detyruar që të vazhdojë atje ku e lamë.

Bëhet e ditur se deputetët e Partisë Demokratike kanë marrë vendim në mbledhjen e grupit të tyre se asnjë çështje tjetër nuk do të tolerohet për sa kohë nuk rikthehet për rishqyrtim projektligji i ish të përndjekurve. Nëse socialistët nuk do të pranojnë kërkesën e opozitës, atëherë deputetët e djathtë do të braktisin seancën./tvklan.al