Lajme Arkiva 2004
Bashkëpunim më të ngushtë në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këtë siguruan sot në Podgoricë tre kryeministrat e Malit të Zit, Shqipërisë dhe i Maqedonisë.
Ata sugjeruan vendosjen e një trupi të përbashkët koordinimi të ministrave të brendshëm të tre vendeve.
Ky trup duhet të merret me shkëmbimin e informacionit në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si edhe me kontrollin e kufijve.
Duke u ndalur në tragjedinë që përjetoi Shqipëria pak ditë më parë në Adriatik, kryeministri Nano u shpreh se ngjarja tregon se lufta me krimin e organizuar nuk është një dramë me një akt, por një sipërmarrje e vështirë dhe e gjatë që kërkon ndër të tjera një kuadër të plotë ligjor, mjete të sofistikuara si edhe bashkëveprimin me fqinjët dhe partnerët tanë.
Në takimin trepalësh u vu theksi mbi rëndësinë e projekteve rajonale në fushën e infrastrukturës, energjetikës, turizmit, telekomunikacionit dhe mbrojtjen e mjedisit.
Duke u ndalur në fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit, zoti Nano ka propozuar vendosjen e linjave ajrore, Tiranë-Shkup dhe Tiranë- Podgoricë, gjithashtu, kryeministri siguroi se janë gati fondet për ndërtimin e linjës së tensionit të lartë Elbasan- Podgoricë.
Ai i propozoi homologëve Crvenkovski dhe Dukanovic, që takimi i ardhshëm trepalësh të zhvillohet në Shqipëri në 2005-ën. Të tre kryeministrat shprehën angazhimin dhe dedikimin e tyre për ndërtimin dhe forcimin e sigurisë të stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe në Evropën Juglindore./tvklan.al