1450 familje të ngujuara numërohen sot në Shqipëri si pasojë e hasmërive dhe problemeve pronësore të cilat po kthehen dhe në një fenomen shqetësues për vendin.

Komiteti i Pajtimit Ndërkombëtar paraqiti në ambientet e Akademisë së Shkencave një raport mbi ekspeditën e misionarëve të pajtimit, detyra e të cilës është ajo e gjetjes së një zgjidhjeje mbi shuarjen e gjakrave apo hasmërive me qëllim zhdukjen e fenomenit të ngujimit.

Kreu i këtij komiteti, Gjin Marku, tha se për periudhën 100 ditore të këtij viti misionarët e pajtimit kanë mundur të ulin ndjeshëm fenomenin e gjakmarrjes.

Gjin Marku: “Në shkallë vendi u futëm në proces dialogu për pajtim 42 familje në hasmëri për përplasje dhe vrasje aksidentale dhe 22 familje në hasmëri për vrasje të kryera me paramendim. U zgjidhën me marrëveshje 267 konflikte pronësie në fshat dhe 116 në qytet.”

Ky fenomen është i përhapur në masë në zonat veriore, por lëvizjet demografike e kanë debortuar atë edhe në kryeqytet.

Agim Luci: “Problemi është goxha sepse janë të ardhur nga veriu, se Tirana vendali shumë pak ka. Po normalisht janë goxha, janë një përqindje e lartë. Them se nga viti në vit ka ardhur të paktën mbi 30% kanë ardhur vetëm pajtime, kam aktualisht dhe 9 procese pajtimi të cilët pritet që muajin gusht të kenë disa. Kjo është një punë që e bën vetëm misioni kombëtar, pra komiteti nuk është punë e shtetit.”

Në mbyllje konferencës u paraqit raporti i misionarëve të pajtimit, Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar kërkoi mbështetje nga strukturat qeveritare dhe ato të drejtësisë me qëllim minimizimin e fenomenit të gjakmarrjes dhe atë të pronësisë./tvklan.al