Gjakmarrja vazhdon të jetë një fenomen tepër shqetësues për shoqërinë shqiptare e sidomos për fëmijët.

Në emër të Kanunit, këta fëmijë janë të detyruar të qëndrojnë vetëm brenda katër mureve të shtëpisë së tyre pa patur mundësinë të dalin dhe të jetojnë si bashkëmoshatarët e tyre.

Marinela, Jozefina dhe vëllai i tyre Jozefi janë tre nga 20 fëmijët e ngujuar në fshatin Bardhaj të rrethit të Shkodrës. Marinela vetëm 12 vjeç tregon se dëshira e saj më e madhe është të shkojë në shkollë.

Gazetari: “Ke qef me shku në shkollë?

Vajza: “Po”.

Gazetari: “Cilat janë ëndrrat e tua?

Vajza: “Që të shkoj në shkollë, të mësoj mirë dhe të bëhem mësuese”.

Por falë një projekti të vënë në zbatim nga Drejtoria Arsimore Rajonale Shkodër, në dispozicion të këtyre fëmijëve është vendosur një mësues i cili punon me ta në shtëpi.

Sipas Inspektorit të Drejtorisë Arsimore Rajonale në Shkodër, Ndjelko Poja në krahasim me disa vite më parë ka një rënie të numrit të fëmijëve të ngujuar.

Ndjelko Poja: “Nga viti në vit numri i fëmijëve të gjakmarrjes është një diçka pozitive, ka ardhur gjithmonë  duke u zvogëluar. Në qoftë se në vitin e parë të aplikimit të këtij ligji, pra të zhvillimit të mësimit në vatrat të familjeve të cilat kanë problem me gjakmarrjen, kanë qenë mbi 63, sivjet trajtohen me këtë projekt vetëm 41 fëmijë, të cilat janë kryesisht të fshatrave përreth Shkodrës”.

Shkodra është një nga zonat ku gjakmarrja është një fenomen shumë i përhapur. Sipas statistikave në këtë zonë janë disa qindra fëmijë që nuk shkojnë dot në shkollë, pasi jeta e tyre kërcënohet nga gjakësi, ashtu sikurse dhe jeta e prindërve të tyre./tvklan.al