Me dhjetëra janë krimet dhe tragjeditë që prekin sot familjet shqiptare si pasojë e gjakmarrjes. Fenomeni i trashëguar dhe i deformuar vazhdon të shfaq produktet e tij, duke u kthyer në një nga problemet më të mëdha që ka shoqëria shqiptare.  Presidenti i Republikës, i ftuar në një takim me misionarë të pajtimit të gjaqeve ka kërkuar me shumë vëmendjen e medias në publikimin e shifrave shpesh herë të fryra nga gazetare të huaj apo shoqata, të cilat kërkojnë të përfitojnë fonde në emër të atyre që përjetojnë këtë fenomen të pashkruar ende në ligje.

Bamir Topi: “Shumë shqetësuese mbeten tentativat spekulative për t’u rritur artificialisht shifrat e familjeve të prekura nga gjakmarrja, si përpjekje për sigurimin e më shumë financimeve apo tërheqjen e vëmendjes së shtypit dhe mediave vizive. Është shumë i freskët rasti i dy policëve të vrarë në qarkun e Kukësit dhe përfytyroni kur preket uniforma e policisë, ju përfytyroni mirë vetë që krimi nuk ka absolutisht asnjë lloj paragjykimi, ai godet kudo, kjo është arsyeja për të thënë që askush nuk duhet ta ndjejë veten të sigurt por duhet të përjetoj situatën duke u futur në hallet e tjetrit”. 

Numri i familjeve të ngujuara, kryesisht në veri të vendit dhe i fëmijëve që nuk shkojnë dot në shkollë është ende i papërcaktuar. Por ajo që është mundur të mbahet me statistikë është numri i personave të përfshirë në konflikt gjaku vetëm për çështjet e pronës. Një problem sa modern por dhe aq problematik që sot zgjidhet në emër të kanunit të moçëm.

Gjin Marku: “Konfliktet për tokën kanë përfshirë 300 mijë shqiptarë. Komuniteti ndërkombëtarë ka dhënë fonde të posaçme për eliminimin e gjakmarrjes, por ato janë shpërndarë pa kriter tek shoqata njerëz që nuk veprojnë mbi baza vullnetare dhe nuk kanë shkuar tek njerëzit në nevojë”./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani