Procesi i pajisjes me pasaporta biometrike është duke ecur me ritme tepër të kënaqshme.

Zv/Ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, gjatë një interviste për TV Klan, thotë se çdo ditë ka 4800 deri në 5 mijë aplikime nga qytetarët që kërkojnë të pajisen me pasaportat e reja biometrike, shifra këto që janë dy herë më të larta se kapacitet e kompanisë koncesionare.

Ferdindand Poni: “Sot ne duhet ta kemi kaluar pragun e 150 mija aplikimeve duke pasur përgjithësisht një ritëm më të lartë se sa kufiri maksimal që ka ofruar kompania, të paktën gjatë muajt gusht. Ne shpresojmë që deri në fund të vitit të ruajmë një mesatare po e quajmë 2 deri në 3 mijë pasaporta në ditë që janë kufiri maksimal dhe jam i sigurt që do të jemi mbi kufijtë  e 300 pse jo edhe 350 mijë pasaportave, nëse do eci me këtë ritëm.”

Pajisja e të gjithë qytetareve me pasaporta biometrike tashmë është vetëm çështje kohe pasi dhe interesimi është shumë i lartë.

Për Ponin pajisja me këtë dokument është një kusht individual për të përfituar nga liberalizimin e vizave.

Ferdindand Poni: “Jam i sigurt që të gjithë shqiptarët në një kohë relativisht shumë të shkurtër para apo pas liberalizimit, le të shpresojmë pas liberalizimit dmth që liberalizimi të jetë shumë i shpejtë do të kenë pasaportat e tyre. Liberalizimi do të ketë si kusht individual, dmth do të përfitojë regjimin e liberalizimit ai që ka dokumente. Nëse do dikush që të lëvizë pa viza duhet të marrë dokumente të reja, normale. Këtë mund ta fitojnë 300 mijë, 500 mijë, 700 mijë që e kanë dhe pastaj gjithë të tjerët me një ecuri normale, por me ritme të shpejta krahasuar me shtetet dhe me tjera.”

Ndërkohë edhe procesi i pajisjes me karta identiteti është duke ecur me shpejtësi. Deri tani me letërnjoftime janë pajisur rreth 1 milion e 600 mijë shqiptar./tvaklan.al

Gazetari: Eno Luarasi