Opinioni publik grek është tronditur nga një aksident i rëndë që ka ndodhur në Athinë dhe viktimë ka mbetur vëllai i deputeteje së “Demokracia e Re”, Katerina Monogyou.
Jorgo Manogyou është përplasur me mjetin tip “Ferrari”, të cilin kishte vetëm disa orë që e kishte blerë.
Në makinë me të ndodhej edhe bashkëshortja e viktimës, e cila ka marrë dëmtime të rënda në gjymtyrët e poshtme. Fatmirësisht, nëna e dy fëmijëve është jashtë rrezikut për jetën.
Ka qenë një dëshmitare, e cila në momentin e aksidentit po udhëtonte me makinën e saj, që ka parë të gjithë ngjarjen.
Ajo ka shikuar momentin fatal kur shoferi ka humbur kontrollin dhe është përplasur. Gjithçka dyshohet të jetë shkaktuar si pasojë e shpejtësisë së lartë, ndërsa pasi humbi kontrollin shoferi u përplas me një pemë.
Dëshmitarja ka thënë se në momentin që është parakaluar nga “Ferrari” ka dëgjuar një zhurmë që ngjasonte si tërmet. Disa metra më tutje, “Ferrari” përpiqet që të marrë një kthesë, por si pasojë e shpejtësisë doli jashtë kontrollit.
Gruaja e Monogyou ka mundur që të dalë menjëherë nga mjeti, ndërkohë që “Ferrari” është përfshirë direkt nga flakët.
Jashtë mjetit është nxjerrë më pas edhe trupi i pajetë i shoferit grek. Siç duket edhe nga pamjet e shpërndara në mediat greke pas zjarrit, makina është shkrumbuar totalisht./tvklan.al