Lewis Hamilton “s’mund të ishte më entuziast” teksa 2025 për të nis me rrugëtimin e ri me Ferrari.
Kontrata e tij e re filloi më 1 janar dhe shtatë herë kampioni i botës thotë se “po përqafon mundësi të reja, kërkon ende dhe po vazhdon përpara me një qëllim”.
Ai komentoi në një postim në LinkedIn për të shprehur emocionet e para, duke shtuar:
“Le ta bëjmë të mbahet mend. Me zhvendosjen te skuderia Ferrari, ka shumë për të reflektuar. Për të gjithë ata që po mendojnë për hapin e radhës në 2025: përqafoni ndryshimin. Qofshi duke ndryshuar industri, po mësoni një aftësi të re apo po ndërmerrni sfida të reja, mbani mend që rikrijimi është i fuqishëm. Mundësia juaj e radhës është e arritshme”.
Kampioni postoi edhe një foto të tijën duke bërë gara kur ishte më i vogël dhe mbante një helmetë të kuqe që është ngjyra ikonike e Ferrari-t.
Hamilton bëhet pjesë e Ferrari në prag të 40-vjetorit të tij që është më 7 janar. Ai do të ketë një periudhë të shkurtër, por të vrullshme për t’u përshtatur me ekipin e ri përpara nisjes së sezonit në Melburn të Australisë më 14-16 mars.
Skuderia ka dhënë pak detaje, por piloti do të vizitojë fabrikën, do të drejtojë simuluesin dhe do të bëjë prova me një makinë të vitit 2023, veprimtari që synojnë përshtatjen e tij me ekipin dhe funksionimin e makinës.
Makina e re e Ferrari do të prezantohet më 19 shkurt. Ditët e testimit përpara sezonit janë caktuar më 26-28 shkurt në Bahrain ku Hamilton dhe Leclerc do të ndajnë kohën për të përdorur makinën e re./tvklan.al