Niveli i ujit në Liqenin e Fierzës ka arritur në pikën më të ulët të mesatares vjetore në 40 vitet e fundit. Korporata elektroenergjitike po përpiqet të ruajë kuotën 268 metra, pasi nëse thatësira vijon kaskada e Drinit rrezikon të shkojë në pikën kritike.
“
Me rënien e nivelit bie edhe eficienca dhe sasia e prodhuar, pastaj është më e vështirë të sigurosh të gjithë sasinë e nevojshme në import, nisur edhe nga vështirësia në kapacitetet e transmetimit”
, tha Entela Çipa, këshilltare për energjinë në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë.
Pas tenderit që hapi KESH, edhe kompania e shpërndarjes arriti të sigurojë një pjesë të energjisë për furnizim në muajin shtator, edhe pse me një procedurë të vështirë e me 5 raunde, ku çmimet arritën deri në 80 euro për megavat orë.
“
Ata kanë marrë rreth 90 për qind të sasisë së kërkuar, dhe me një çmim mund të themi gjithashtu të mirë, duke pasur në konsideratë gjithmonë çmimin e muajit gusht për tregun evropian”
.
Edhe për muajin tetor kompanitë KESH dhe OSHEE do të blejnë energjinë pasi edhe nëse ka përmirësim të prurjeve hidrike në kaskadë, basenit i duhet minimalisht një muaj që ta arrijë nivelin e mëparshëm. Korporata do të përdorë fondin e Bankës Botërore, ndërsa kompania e shpërndarjes do të përpiqet të mos prekë garancinë që u dha nga qeveria qendrore me aktin normativ të buxhetit./Tv Klan