Olimpiakosi dhe Fiorentina do të përballen në “AEK ARENA” të Athinës në finalen e Ligës së Konferencës mbrëmjen e sotme.
Gjigandët grekë do të kërkojnë të festojnë në shtëpi, ndërsa përballë do të kenë vjollcët që humbën finalen në sezonin e shkuar në Pragë.
Italianët nuk e njohin humbjen në Europë prej 13 takimesh, ecuria më e gjatë në historinë e tyre.
Trajneri i vjollcëve Vinçenzo Italiano ka mundësinë të fitojë një trofe, pasi sezonin e shkuar humbi finalet e Kupës së Italisë dhe të Konferenc Ligës.
Suksesi i fundit i Fiorentinës në Europë erdhi në 1961.
“Këto ndeshje më ngjasojnë me hedhjen e monedhës. Ne jemi të mirë, ata janë të mirë, sepse të dy kemi arritur në finale. Do të përpiqemi të bëjmë një performancë që të jetë e këtij niveli e të fitojmë trofeun.”
Olimpiakosi është skuadra e vetme greke që shkon në një finale europiane në 50 vitet e fundit.
Gjatë historisë, Olimpiakosi është përballur 28 herë me ekipet italiane, ku regjistron 7 fitore dhe 16 humbje.
Trajenri Hose Luis Mendijibar u shpreh se ekipi i tij nuk do të ndryshojë shumë.
“Është një finale, është e vërtetë dhe është ndryshe pasi bëhet fjalë për takimin e fundit. Por të bindemi për atë çfarë kemi bërë përpara, e të bëjmë të njëjtën gjë ndaj Fiorentinës. Kërkojmë suksesin në Konferencë Ligë.”
Kjo do të jetë finalja e dytë europiane që Athina pret këtë sezon, pas Superkupës gushtin e kaluar midis Manchester City dhe Sevilla.
Interesimi është shumë i madh nga mijëra tifozë, me autoritetet që kanë shtuar masat e sigurisë rreth stadiumit dhe qendrës së qytetit.
Klan News