Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) nënshkroi sot marrëveshjen me Universitetin BOKU të Vjenës. Kjo marrëveshje shënon edhe procesin e modernizimit të UBT-së.
Kryeministri Edi Rama tha gjatë ceremonisë që u zhvillua se synimi është që UBT të jetë atraktiv edhe për studentët e rajonit. Sipas Ramës bëhet fjalë për 16 milionë Euro investim.
Ai theksoi se programi strategjik i qeverisë ka për qëllim të transformojë universitetin në qendër ekselence.
“Tani ju takon të gjithë ju që të përfshiheni në këtë projekt jo vetëm me mendje, se me mendje jeni përfshirë, por edhe me zemër. Dhe ta keni ambicien tuaj edhe personale me thënë të drejtën, përveçse profesionale, jo vetëm si akademikë, por edhe si shqiptarë që këtë universitet ku kaloni pjesën më të madhe të jetës suaj ta transformoni në një flamur krenarie kombëtare për të gjithë shqiptarët. Është misioni juaj ky dhe nuk ka diskutim që me mbështetjen e partnerëve austriakë kushtet për t’u rritur profesionalisht, për t’u përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme, kushtet për tu bërë ju, stafi akademik i një universiteti europian këtu në Tiranë në të gjithë kuptimin e fjalës, janë të garantuara. Qeveria do të jetë në mbështetje të vazhdueshme”, tha Rama./tvklan.al