Milani u rikthyer te fitorja në kampionat, pasi mposhti minimalisht në transfertë Monza-n. Në këtë përballje, vendosi goli i shënuar me kokë nga Reijnders, por nuk munguan polemikat.
Trajneri i Monza-s, Alessandro Nesta, kishte pretendime për golin që iu anulua skuadrës së tij në pjesën e parë, për faull ndaj Theo Hernandez. Sipas tij, futbollin po e shkatërrojnë me këto vendime.
“Pas gabimit të arbitrave në Bergamo, ata na shkruan dhe na kërkuan falje. Por çfarë lloj faulli ishte ky sot? Ata po e shkatërrojnë futbollin kështu. Theo Hernandez u fut dhe është e qartë.
Ata po e shkatërrojnë futbollin. Duhet t’i kthehemi arbitrimit si më parë. Nëse ata ndalojnë lojën për gjithçka, njerëzit mërziten. Futbolli po përshtatet me rregullat, por janë rregullat që duhet t’i përshtaten futbollit. Duhet të bëhen rregullore për ta bërë futbollin spektakolar. Futbolli është ai që ka rëndësi, jo rregullat”, deklaroi Nesta.
Milani u ngjit me këtë fitore në vendin e shtatë me 17 pikë, ndërsa Monza renditet në vendin e 16-të me 9 pikë. /tvklan.al