Në fjalën e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e mbledhur në sesionin e 64 të saj, kryeministri Sali Berisha u përqendrua në përpjekjet e Shqipërisë për përmbushjen e objektivave madhore të saj, si anëtarësimin në Bashkimin Europian, bashkëpunimin me Kombet e Bashkuara dhe Agjencitë e saj, bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit dhe në mënyrë të veçantë statusin e Kosovës. Kreu i qeverisë bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare të OKB-së që ashtu si 14 vjet më parë mbështetën pa rezerva rezolutën kundër krimeve në Kosovë të pranojnë shtetin më të ri të Ballkanit.

Sali Berisha: “Kosovën e kanë njohur 63 vende anëtare të OKB-së.  Ajo është pranuar në gjirin e organizatave si Fondi Ndërkombëtar Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Megjithatë Kosova nuk e ka marrë vendin që plotësisht meriton në gjirin e kombeve sovrane në këtë organizatë sovrane. Ndaj shfrytëzoj rastin tu bëj thirrje të gjitha qeverive dhe vendeve anëtare të OKB të shqyrtojnë mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës për të kontribuar në konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore.”

Në pasqyrimin e situatës në Shqipëri, Berisha u ndal në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara nga ndërkombëtaret, një arritje e vlerësuar nga  misioni vëzhgues i OSBE-ODIR-it. Ai siguroi komunitetin ndërkombëtar për përkushtimin e qeverisë së re në ndërtimin e infrastrukturës së re moderne, reformimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor, luftën kundër varfërisë dhe çeljen e vendeve të reja të punës. Një nga shtyllat kryesore të qeverisë time shtoi Berisha është plotësimi i kushteve dhe reformave të nevojshme për integrimin Europian.

Sali Berisha: “Shqipëria si një vend evropian mbetet tërësisht e angazhuar në ndërmarrjen e çdo reforme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. 94 % e shqiptarëve mbështesin këtë proces, çka përbën një inkurajim dhe detyrim të madh për qeverinë time për të avancuar me shpejtësi. Ne presim këtë vjeshtë vendime pozitive nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian për statusin e kandidatit dhe shqyrtimit të kërkesës sonë për liberalizimin e vizave.”

Berisha vazhdoi duke garantuar se progresi i  kësaj demokracie të re dhe funksionale gjatë këtyre 4 viteve do të intensifikohet më tej në vitet e ardhshme. Një prej pikave të prekura ishte kriza financiare që la pasoja në ekonominë e vendit tonë por që falë reformave shënoi rritje të GDP-së. Kryeministri tha se Shqipëria mund të jetë një histori suksesi për të gjithë investitorët e huaj, falë klimës së favorshme të biznesit që ajo ofron. Politika e jashtme e vendit tonë dhe bashkëpunimi për një botë më të mirë  ishte gjithashtu në fokusin e kryeministrit Berisha që garantoi përkushtim  në luftën kundër terrorizmit dhe ndryshimeve klimaterike./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle