Lajme Arkiva 2004

Florion Seriani: Rreth orës 18:15 minuta nëpërmjet radarit të postës kufitare Dhërmi është kapur një objekt i cili lëviztë në drejtim të Karaburunit 3 milje në thellësi të bregut. Menjëherë për këtë situatë është njoftuar salla operative e Drejtorisë së Policisë së qarkut Vlorë dhe u morën masa për nxjerrjen në det të mjeteve lundruese për gjetjen dhe kapjen e kësaj gomoneje. Në orën 18:20 u nisën në drejtim të Dhërmiut një motovedeta i repartit Delta Forcë, një gomone e policisë kufitare dhe një motovedetë e Guarda di Finanza italiane me ekuipazh të përbashkët. Mjetet e sipërpërmendura mundën të shkonin deri në vendin e quajtur Mezo kanal, por aty u detyruan të kthehen prapa për arsye se deti ishte shumë i keq, 5-6 ballë dhe aktualisht janë të ankoruar në Shën Jan në afërsi të kepit të Gjuhëzës. Në drejtim të vendit ku mendohet të jenë gomonet ka shkuar komandanti i vijës kufitare dhe 1000 grup policësh të cilët gjendën në Dhrale në afërsi të bregut, ku kanë gjetur një automjet tip “Pegot” me targa italiane të braktisur dhe disa bidonë karburanti bosh. Në orën 21:30 u nis nga baza detare e Pashalimanit, një anije luftarake e madhe që mund ti rezistojë detit, si dhe nga Sazani është nisur një anije italiane Guarda di Costiere të cilat po shkojnë drejt vendit ku ndodhet gomonia. Me marrjen e informacionit, drejtoria qendrore e policisë kufitare në orën 19:00 ka ngritur grupin e posaçëm për ngjarjen dhe ka marrë këto masa: janë lidhur në telefon me personat e gomones me numrin e telefonit 692070266, nëpërmjet të cilëve kanë përcaktuar vendndodhjet e tyre 4-5 milje larg bregut midis Palasës dhe Karaburunit. Ju është dhënë detyrë drejtuesve të policisë kufitare Vlorë për dërgimin e mjeteve lundruese në vendin e ngjarjes dërgimin e efektivave të policisë dhe ndjekjen e situatës në vijimësi. Është lidhur me komandën e flotës detare nëpërmjet qendrës operative, i ka kërkuar ndihmë për dërgimin e mjeteve ne vend, është dërguar komandanti i Nuklit detar italian  i Guarda di Finanza, për të dhënë ndihmesën e tyre me mjete dhe personat për këtë ngjarje. Është kontaktuar me i oficerët ndërlidhës të NATO-s në Tiranë dhe i është kërkuar ndihmë për të bërë të mundur nisjen e helikopterit  për të shpëtuar personat që gjenden në gomone. Si rezultat i masave të marra nga pala italiane e Guarda di Finanza u dërguan dy mjete lundruese nga Sazani dhe nga Durrësi dhe u lidhën me sallën operative të helikopterëve në Brindisi për të bërë të mundur nisjen e helikopterëve. Forcat e policisë janë të gjitha të angazhuara madje deri në sakrificë njerëzore për të bërë të mundur shpëtimin e këtyre personave që ndodhen në det. Situata është e vështirë, ne kemi kontaktuar para pak kohësh me ta me anë të telefonit, është e vështirë pasi edhe valët e telefonit nuk kapin mirë, dihet që personat në bord janë të trembur, janë në një gjendje paniku, mendojmë se kemi lokalizuar vendosjen e tyre dhe ndërkohë janë nisur helikopterë nga Bari, të cilët po kontrollojnë vendin. Gjithsesi duhet të kuptoni se koha është shumë e keqe, moti është shumë i keq, deti është i pamundur për të lundruar madje edhe helikopterët kanë shumë vështirësi. Kjo kohë e keqe ndikon gjithashtu edhe në lëvizjen e gomones e cila nuk është se qëndron në të njëjtin vend. Ajo që dua të ritheksoj edhe njëherë për të gjithë opinionin publik nëpërmjet jush është se Ministria e Rendit Publik e ka identifikuar këtë mjet lundrues që në orën 6:15 minuta të ditës së sotme. Sigurisht ne nuk kemi mundësinë dhe nuk është në interesin tonë që të informojmë publikun pa identifikuar objektin dhe vendndodhjen e tij, por është fakt se mjetet tona lundruese kanë dalë në lundrim në orën 6:30 minuta dhe kjo gjë është krejtësisht e verifikueshme. Ju faleminderit për vëmendjen!/tvklan.al