Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Në orët e para të mëngjesit, forcat RENEA të Ministrisë së Rendit, të drejtuar nga drejtori i policisë kriminale të kësaj ministrie Sokol Bizhga, kanë arrestuar gjatë një aksioni që zgjati disa orë, personin më të kërkuar të Shkodrës. Ai njihet me nofkën “Bisha i Shkodrës” dhe është dënuar nga gjykata me burg të përjetshëm për 6 vrasje, të gjitha të kryera pas vitit 2000.
Valmir Hoxha, që njihej nga të gjithë, si tmerri i qytetit është 26 vjeç dhe me origjinë nga Dukagjini. Ai është dënuar në mungesë me masën maksimale. “Bisha i Shkodrës”, sipas burimeve të policisë, fshihej në shtëpinë e Ilmi Saitit, ky i fundit, ka mbetur i vdekur pasi ka shkëmbyer zjarr me forcat e RENEA-s. Gjithnjë sipas policisë, Saiti dhe i shumëkërkuari, janë përgjigjur me armë thirrjes për t’u dorëzuar dhe më pas, shkëmbimi i zjarrit ka zgjatur për pak kohë, derisa Hoxha ka përfunduar në pranga.
Thuajse në të njëjtën kohë është bërë edhe një aksion tjetër, nga forcat e drejtorisë së policisë së Shkodrës. I arrestuari është Lekë Gjeloshi rreth të 40 dhe i akuzuar për dy vrasje Ky person, do të paraqitet së shpejti në gjykatë, në procesin për të dy veprat e rënda penale./tvklan.al