Forumi ekonomik i Crans Montanës ka çelur punimet për të 4 vit radhazi në Tiranë. I pranishëm në këtë forum, krahas 250 investitorëve vendas dhe të huaj, ka qenë edhe kryeministri Berisha, i cili i ka siguruar ata se qeveria po bën përpjekjet maksimale për të ofruar një klimë biznesi të favorshme, pavarësisht krizës globale ekonomike. Ndërsa na ndajnë vetëm pak ditë nga anëtarësimi në NATO, kreu i ekzekutivit ka theksuar se një gjë e tillë do të rrisë ndjeshëm sigurinë e investimeve në Shqipëri.
Sali Berisha: “Në mes të kësaj krize ne jemi mire, kemi pak vështirësi buxhetore. Kemi një ulje të lehtë me 2% të eksporteve, remitancat nga jashtë mund të ulen, por ne po përpiqemi të lëvizim përpara fuqishëm me investimet. Vetëm në periudhën dhjetor-janar kemi nënshkruar kontrata për 3,5 miliardë euro kryesisht në sektorin e energjisë.
Presidenti i forumit ekonomik të Crans Montanës, Carteron, e ka cilësuar si suksese fluksin e investimeve të huaja në Shqipëri, si dhe politikat fiskale të ndërmarra nga qeveria Berisha.
Jean-Paul Carteron: “Sukseset e regjistruara nga ekonomia shqiptare shihen nga investitorët si garancia e vërtetë që ata kërkojnë në kuadër të biznesit të tyre. Ndërsa kriza ekonomike po godet Ballkanin juglindor, kriza është ndalur në portat e Shqipërisë.”
Forumi i sivjetshëm i Crans Montana që po zhvillohet në Tiranë do të ketë temë qendrore sfidat e krizës financiare ndërkombëtare. Forumi do të qëndrojë i hapur edhe gjatë 2 ditëve në vijim në Tiranë ku pritet të realizohen takime të shumta mes sipërmarrësve shqiptarë e atyre të huaj./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro