Më shumë se 550 të rinj i janë nënshtruar provave pranë Federatës së Futbollit për një vend në kombëtaret e moshave.
Të gjithë shqiptarë që vinin nga vende të ndryshe të Europës. Përgjatë 4 ditëve, në “Shtëpinë e Futbollit” fëmijët e emigrantëve shqiptarë u mirëpritën dhe u provuan në disa ndeshje kontrolli.
“Edicioni i dytë ka shkuar më mirë se vitin e kaluar. Kemi pasur 550 pjesëmarrës. Federata ka investuar shumë dhe po vazhdon të investojë për të ardhmen e saj. Këta të rinj janë dëshmia”, thotë drejtori teknik i FSHF, Fulvio Pea.
Por një punë e madhe më herët është bërë nga departamenti i skautizmit në Federatën e Futbollit që drejtohet nga ish-futbollisti Ardi Behari.
“Departamenti ynë i skautizmit ka qenë prezent. Ardi Behari ka punuar me shumë vëmendje në organizim dhe trajnerët kanë mbledhur informacionet më të mira për të evidentuar djemtë më të mirë. Jemi shumë të lumtur që ky Open Stage, që na ka marrë shumë energji dhe impenjim, mund të na ketë dhuruar ndonjë lojtar që mund të bëhet pjesë e skuadrave tona”, vijoi Fulvio Pea.
Tv Klan