Përfundon në Kosovë afati i aplikimit të partive politike dhe subjekteve të tjera që kërkojnë të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 Shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se nga 1 Shtatori deri më 11 Dhjetor pranë këtij institucioni kanë paraqitur interes 28 subjekte politike.

“Prej tyre: 20 parti politike; 5 koalicione; 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike është 1,280 kandidatë”.

Sa i përket kandidatëve, 3 partitë kryesore Lëvizja Vetvendosje, Partia demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë paraqitur edhe numrin më të madh të kandidatëve, nga 110 secila.

Në listën e partive që kanë paraqitur kërkesë në KQZ për të garuar në zgjedhjet e ardhshme është edhe Lista Serbe, e cila kërkon të konkurrojë me 48 kandidatë.

Përpara se të certifikojë dhe regjistrojë zyrtarisht subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhje, KQZ u ka dërguar kërkesë për informacion disa institucioneve ligjzbatuese për të verifikuar kandidatët për deputetë.

Ky proces duhet të mbyllet brenda datës 25 Dhjetor.

Tv Klan