Në takimin me ish-minatorë të Gurit të Kuq në Pogradec kryetari socialist Edi Rama u angazhua t’u japë zgjidhje kërkesave të tyre lidhur me statusin e minatorit, moshën e pensionit dhe kushtet e punës. Duke e cilësuar si cinik, trajtimin e qeverisë ndaj kësaj kategorie të shoqërisë, kreu i selisë rozë premtoi firmosjen e statusit të minatorit në 100 ditët e para të qeverisjes socialiste.

Edi Rama: “Ne angazhohemi solemnisht përpara jush se ajo kërkesë legjitime, e kahershme dhe e refuzuar për vite me radhë me pashpirtësi dhe cinizëm, nga kjo politikë e vjetër në pushtet dhe nga ky kryeministër që ka të bëjë me statusin e minatorit do të merret nga ne parasysh dhe do të kthehet në realitet  në 100 ditët e para të qeverisjes sonë.”

Kryetari i opozitës tha se dyfishimi i pensionit për minatorët që nuk kanë mbushur moshën ,por e kanë të pamundur të punojnë është një tjetër pikë e programit të socialistëve

Edi Rama: “Për kategorinë e atyre që nuk punojnë dot dhe nuk e kanë arritur moshën e pensionit, jo trajtimin e veçantë prej 650 lekësh, por pensionin minimal. Domethënë pensionin minimal që fillon nga të paktën 12 mijë lekë.”

Një tjetër premtim i kryesocialistit ishte ulja e moshës së pensionit për minatorët nga 65 në 59 vjeç.

Edi Rama: “Do të bëjmë sakrificën e domosdoshme në emër të të gjithë shoqërisë që u detyrohet juve respekt dhe mbrojtje të identitetit tuaj duke e stopuar moshën e pensionit tuaj në vitin 2010 tek 59 dhe asnjë vit më shumë.”

Në takimin me ta Rama foli edhe për kushtet e punës në minierat e vendit, duke theksuar se qeverisja e ardhshme do të krijojë një tjetër raport me firmat koncesionare

Edi Rama: “Dhe angazhohem përpara jush që personalisht dhe më të gjithë qeverinë tonë nesër, do ti qëndrojmë mbi kokë përditë çdo koncensionari, çdo sipërmarrësi që ka një kontratë me shtetin për shfrytëzimin e minierave dhe do të kërkojmë kushte të standardeve Europiane mbi dhe nën tokë.”

Duke u shprehur i bindur në fitoren e 28 qershorit, Rama ftoi minatorët të bëhen pjesë e këtij ndryshimi të madh./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro