Turi elektoral i selisë blu ka vijuar në qytetin e Shkodrës. Gjatë një takimi të zhvilluar me “Gratë për gratë”, kryeparlamentarja Jozefina Topalli u shpreh e bindur në fitoren e së djathtës, ashtu si në vitin 1992 theksoi ajo.
Duke atakuar kryetarin e PS, Topalli tha se shqiptarët më 28 qershor do të votojnë alternativën e ndryshimit që do të përmirësojë më tej jetën dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Jozefina Topalli: “I them kryetarit të Bashkisë së Tiranës, nga Shkodra ti je çuar për të ikur që kur ke votuar kundër rritjes së rrogave. Kryetari i Bashkisë së Tiranës është çuar për të ikur qëkur ka votuar kundër rritjes së pensioneve, është çuar për të ikur nga momentin që proteston për gjërat që nuk ekzistojnë. Është çuar për të ikur sepse ai ka bërë protesta kur Shqipëria do të merrte ftesën për në NATO, është çuar për të ikur, sepse ai nuk ka program, është çuar për të ikur ashtu siç iku dje në fakt, sa filloi pika e parë e shiut, në hapjen e fushatës së tij elektorale.”
Në takimin e zhvilluar me gratë dhe vajzat e qytetit të Shkodrës, kryetarja e Kuvendit, prezantoi kandidatet për deputet që do të garojnë nën siglën e PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit në qarkun e Shkodrës.
…
Ministri i jashtëm Lulzim Basha u tha banorëve të lagjes 5 maji në Elbasan që njihet si një zonë informale, se në pak muaj do të kenë në dorë dokumentet e legalizimit të shtëpive të tyre. Ky sipas Bashës mund të quhet pa frikë një premtim i dhënë dhe i mbajtur prej mazhorancës.
Lulzim Basha: “Politika e re e Edi Ramës është rikthimi i byrosë politike dhe pinjollëve të saj.”
Turi i ministrit Basha vijoji edhe në komunën qendër të Librazhdit. Ku priten të ndërtohen 9 hidrocentrale, që do të shtojnë mundësinë e punësimit në këtë zonë.
Luzim Basha: “Me një vlerë prej 15 milion eurosh dhe me kapacitete për të punësuar 2000-2500 banorë të kësaj zone.”
Qeveria ka investuar në komunën qendër në 2 vjet 200 milion lekë në rrugë, ujësjellës e kanalizime.
Mediu: Shqiptarët fituan autoritetin për të vendosur
Kryetari i PR Fatmir Mediu ka vijuar turin elektoral në qytetin e Përmetit. Mediu duke treguar punën e bërë në 4 vitet e fundit nga mazhoranca quajti si pikë kulmore anëtarësimin e vendit në NATO.
Fatmir Mediu: “Për herë të parë në historinë tonë pas shpalljes së pavarësisë Shqiptarët fitojnë një autoritet që nuk e kanë pasur kurrë më parë. Autoriteti për të gjykuar dhe … për veten e tyre, për të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe për të ardhmen tonë. Ky është një moment historik i cili përcakton përgjegjësi jashtëzakonisht të mëdha për të gjithë ne. Nuk duhet ta shikojmë thjesht si një moment festiv, nuk duhet ta shikojmë si një moment kalimtar, nuk duhet ta shikojmë si një moment debatit tonë politik.”
Kreu i republikanëve kërkoi dhe një mandat për partinë dhe koalicionin e djathtë, për të çuar më tej projektin për zhvillimin e vendit dhe për një Shqipëri Evropiane.
Leskaj: Ndryshimin do ta sjellim bashkë
Valentina Leskaj kandidate e PS për qarkun e Elbasanit është ndalur në komunën e Shezës në Peqin për të diskutuar me banorët e zonës. Gjatë fjalës së saj Leskaj theksoi se ndryshimi do të vijë nga të gjithë së bashku dhe se vendi është i lodhur nga varfëria.
Valentina Leskaj: “Shqipëria nuk duron më dhe 4 vjet të tjera nën regjimin e Berishës. Nuk duron më edhe 4 vjet të tjera, sepse e ka lodhur varfëria, e ka lodhur korrupsioni. Është kjo arsyeja që dua t’ju ftoj të gjithë juve në 28 qershor të ndërrojmë qeverisjen dhe të kemi një qeverisje e cila i jep një jetë më të mirë shqiptarëve. 28 qershori do bëjë diferencën e madhe, kryetari i PS ka dhënë prova me Tiranën që e ka ndryshuar faqen.”…/tvklan.al