Rama: 28 qershori dita e bashkimit
28 qershori është dita për tu bashkuar të gjithë në një flamur të vetëm, atë kuqezi. Ky është apeli i Edi Ramës në takimin përmbyllës në qytetin e Durrësit. Në këtë tubim kreu i selisë rozë u shpreh se është koha për tu bashkuar për fatin e familjeve dhe fëmijëve të këtij vendi e për të lënë pas paragjykimet e së shkuarës. Kjo tha Rama, nuk është thjeshtë një garë elektorale, por beteja e së shkuarës së këtij vendi me të ardhmen e tij.
Edi Rama: “Kjo nuk është beteja mes socialistëve e demokratëve të thjeshtë dhe të ndershëm të këtij vendi, kjo është beteja për të mbyllur një epokë dhe për të hapur një epokë të re. Kjo është beteja mes një kaste të vjetër, e cila kërkon ta mbajë peng siç na ka mbajtur 18 vjet me radhë, në emër të një populli të tërë që duan të ndërrojnë faqen e historisë për të shkruar një histori të re, për të hyrë në një rrugë të re, për të ndërtuar një Shqipëri të re. Unë jam sot këtu, për të ju thënë se në 4 vitet e ardhshme ne do ë bëjmë për Durrësin sa nuk është bërë në 18 të marra së bashku. Se pas 4 vitesh ajo këneta e politikës së vjetër, nuk do të jetë më këneta e Durrësit, por do të jetë një lagje e integruar në qytetin e Durrësit.”
Rama u angazhua se në Shqipëri do të mirëpriten të gjithë investime e huaja
Edi Rama: “Në 28 qershor Shqipëria do të ketë zot dhe ky do të jetë populli i Shqipërisë, do të jetë një qeveri që do t’i mirëpresë të gjitha investimet e huaja, por nuk do t’i hapë rrugën asnjë lloj rrangallave që mbyllet në Evropë dhe vjen për të ndërtuar këtu, se Shqipëria nuk është kosh plehrash për Evropën.”
Rama shpërndan planin për transformimin e Tiranës
Gjatë turit të tij derë më derë kryebashkiaku Edi Rama është ndalur në njësitë bashkiake 11, 7 dhe 5 për t’ju dhënë personalisht qytetarëve të Tiranës, planin e tij për ndryshimin dhe transformimin e kryeqytetit.
Edi Rama: “Ajo që na duhet për t’i dhënë Tiranës një ritëm të ri dhe një shpejtësi të re dhe për të hapur një kapitull të dytë të transformimit të saj, i cili për nga dimensioni do të jetë edhe më i madh se sa kapitulli i parë, ku kaluam nga fshati i madh i kioskave, i baltës dhe i kaosit në qytet me fizionomi evropiane. Tirana sot duhet të kthehet në një metropol. Do të ketë një status tjetër ligjor. Për këtë unë vendosa që të kandidojë për të qenë kryeministër i Shqipërisë dhe jam i bindur se të gjitha këto arsye dhe shumë arsye të tjera janë të mjaftueshme që ne së bashku t’i japim fuqi një ndryshimi të ri.”
Gjatë këtyre takimeve, Edi Rama është angazhuar për transformim rrënjësor të Parkut të Liqenit, të sistemimit dhe gjelbërimit të gjitha blloqeve të banimit si dhe ngritjen e një shërbimi të integruar të transportit në të gjithë njësitë duke përfshirë edhe rrethinat.
Edi Rama: “Do të votojnë për të pasur shumë shpejt, në radhë të parë një Park të ri, një park të transformuar rrënjësisht, një park model të ekuilibrit mes një qyteti dhe natyrës, parkun e Liqenit që ne do ta bëjmë modelin që pastaj do ta shpërndajmë edhe në zona të tjera.”
Ndërsa tek fusha e vjetër e Aviacionet në njësinë bashkiake nr.7 Rama ka premtuar se do të përfundojë shumë shpejt parkun e madh si dhe ndriçimin publik në të gjitha rrugët e njësisë duke takuar banorët në çdo rrugë të këtyre njësive, kryebashkiaku i Tiranës ka shpërndarë planin përkatës për çdo njësi duke thënë se dhënia e një statusi të ri ligjor për qarkun Tiranës është një angazhimet kryesore të socialistëve që do të realizojnë pas 28 qershorit.
Rama nga Kamza akuzon Berishën për legalizimet
Nga Kamza ku është ndalur gjatë turit të tij elektoral, kryesocialisti Rama ka akuzuar rivalin e tij politik, kryeministrin Sali Berisha se ka dështuar në premtimin e tij për legalizimin e banesa informale, proces për të cilin Rama është angazhuar se do ta realizojë qeveria që ai do të formojë pas 28 qershorit.
Edi Rama: “Katër vjet më parë Sali Berisha erdhi këtu dhe ju tha se brenda vitit të parë të qeverisjes së tij ai do t’i legalizonte të gjithë shtëpitë tuaja. Ku i keni legalizimet? Sali Berisha këtu në Kamëz dhe në Bathore nuk duhet të vijë për t’ju treguar se sa të bukur do e bëjë Kamzën e Bathoren nesër, po për t’ju treguar sepse nuk i bëri legalizimet tuaja në 4 vjet. Ndërkohë që premtoi qysh vitin e parë. Ato shtëpi duhet të ishin legalizuar dhe ato shtëpi do të legalizohen që të gjitha…/tvklan.al