Ushtria izraelite ka gati planin për t’u hakmarrë ndaj Iranit, për sulmin e 1 Tetorit me 200 raketa ndaj Izraelit.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Joav Galant konfirmoi përmes një videomesazhi se sulmi do të jetë vdekjeprurës, preçiz dhe befasues. Ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu informoi presidentin amerikan Xho Bajden për hakmarrjen ndaj Teheranit, në një bisedë telefonike që zgjati 30 minuta, ku u përfshi edhe zv/presidentja Kamala Herris.

Bajden e ka shprehur qartë më herët se është kundër përshkallëzimit të konfliktit të drejtpërdrejtë Izrael – Iran, pasi rrezikohet një luftë e madhe në Lindjen e Mesme me pasoja botërore. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se biseda ishte e drejtpërdrejtë dhe produktive dhe se Netanjahu kishte pranuar të qëndronte në kontakt me Uashingtonin gjatë ditëve në vijim.

Pritshmëritë janë që Izraeli të godasë sitet bërthamore të Iranit, të cilat Republika Islamike thotë se i ka ngritur për prodhimin e energjisë elektrike. Ndërsa Tel Avivi hedh dyshime të forta se Irani prodhon fshehurazi dhe në paligjshmëri, armë bërthamore.

Tv Klan