Vijon të jetë absurde situata me gazetarët në Kapshticë, në kufirin me Greqinë.
Pala greke ka bllokuar kalimin e ekipit të xhirimit të Tv Klan dhe televizionit A2CNN, të cilët janë nisur për të raportuar mbi takimin e kryeministrit Edi Rama me shqiptarët në Selanik, me justifikimin se nuk ka pasur kërkesë për një leje në Ministrinë e Jashtme të Greqisë.
Gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, e cila ndodhet në Kapshticë, raportoi se prej orës 14:00 është dërguar nota verbale e kërkuar nga autoritetet greke. Mirëpo ende asnjë përgjigje.
Madje situata bëhet akoma më e pazakontë kur këshilltarët e Ministrisë së Jashtme të Greqisë kanë thënë se pavarësisht se ka shkuar kërkesa, autorizimin nuk mund ta japin me telefon, por me email.
“Edhe të shkruash edhe një email nuk mendoj se do duhen 2 orë e 30 minuta”, theksoi mes të tjera gazetarja e Tv Klan.
“Janë njoftuar autoritetet tona, është njoftuar konsullata jonë në Selanik. Ka njoftuar prej orës 14:00 edhe notën e kërkuar nga autoritet, por asnjë përgjigje. Pak më parë kolegia ime e A2CNN ndërkohë që ne ishim duke u bërë gati për këtë komunikim, foli me një nga këshilltarët e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, dhe e ngriti këtë si shqetësim. Ata thanë që kemi prej më shumë se dy orësh që e kemi marrë notën, por na duhet pak kohë sepse nuk mund të bëjmë urdhërimin e lejimit të kalimit tuaj në territorin grek përmes telefonit, por përmes email-it. Gjithsesi edhe të shkruash edhe një email, pavarësisht se sot është një ditë pushimi nuk mendoj se do duhen 2 orë e 30 minuta, për ta nisur emailin që këta njerëz të autorizohen, edhe pse është e pakuptimtë se jemi televizion privat kombëtar dhe nuk duhet të marrim një leje nga Ministria jonë e Jashtme për të udhëtuar dhe xhiruar në territorin e një vendi tjetër. Është një procedurë që nuk na është kërkuar asnjë herë më parë”, tha Elja Zotka.
Më tej gazetarja shtoi se as nga pala shqiptare nuk e kuptojnë arsyen e këtij bllokimi. Zotka kujtoi se kur kryeministri grek ka ardhur në Shqipëri, takimet janë raportuar pa asnjë problem. Ndërkohë nëse e njëjta gjë do të ndodhte me gazetarët grekë, nota e protestës nga Athina zyrtare do të ishte më e lartë.
“Nuk di ta shpjegoj. Nuk dinë ta shpjegojnë as autoritetet tona. Kam komunikuar me disa përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, po ashtu edhe me zyrën e shtypit të kryeministrit ku kemi ngritur këtë shqetësim. Edhe për ta është e pakuptimtë. Nuk e dinë arsyen. Nuk di nëse kjo lidhet me faktin që do të ketë një takim të shqiptarëve me kryeministrin Edi Rama. Shpresoj shumë që të mos jetë kjo arsyeja që të na pengojnë të pasqyrojmë këtë aktivitet. Emigrantët shqiptarë janë një pasuri për shtetin grek. S’besoj se duhet të ketë arsye për të bërë një takim me kryeministrin e tyre… Siç ka ardhur zoti Mitsotakis në Shqipëri, ka zhvilluar takime me minoritetin grek. Arsyet e takimit të tij kanë qenë edhe më të mëdha për të bërë më shumë zhurmë. Ne e kemi pasqyruar. Kanë qenë takime krejt normale. Nuk e di nëse do të ndodhte të kishte një gazetar grek, të ishte ndaluar nga autoritetet shqiptare, nuk e di sa e madhe do ishte bërë kjo çështje, se si do ngrihej nota e protestës nga autoritetet. Por shpresojmë që të kalojmë sa më shpejt dhe ky të jetë incidenti i fundit edhe pse i pakuptimtë”, tha Zotka.
Pas më shumë se 3 orë pritje gazetarët u lejuan të kalojnë. (Lexo më shumë)
Kujtojmë që ditën e nesërme Rama do të jetë në Selanik për një takim me shqiptarët atje./tvklan.al