Kjo është salla ku do të mbahet takimi i së dielës i kryeministrit Edi Rama me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Selanik të Greqisë. Ndryshe nga takimi i parë me Shqiptarët në Greqisë i mbajtur ne stadium, ky i Selanikut do të mbahet i mbyllur në hotelin “Porto Palace’. Televizioni Klan ka mësuar se në këtë takim do të marrin pjesë rreth 2500 persona.
Formati i takimit do të jetë i njëjtë si i takimit të mbajtur së fundmi me emigrantët shqiptarë në New York të SHBA-së, ku do të flasë vetëm kryesocialisti Edi Rama dhe më pas ai do t’i përgjigjet pyetjeve nga të pranishmit.
Ndërkohë që para këtij eventi, drejtuesi politik i PS-së për Diasporën, Taulant Balla zhvilloi një takim në Selanik me drejtues të shoqatave shqiptare në Greqi. Ky do të jetë takimi i dytë i Ramës me shqiptarët, pas miratimit të ligjit për të drejtën e votës së emigrantëve në zgjedhjet parlamentare, të drejtë që do ta ushtrojnë atje ku jetojnë e punojnë.
Sakaq nacionalistët grekë kanë paralajmëruar se po përgatiten për një antimiting. Ai do të udhehiqet nga kryetari i partisë Ultranacionaliste greke Dimitris Valasidis. Ndërsa janë bërë gati edhe fletushkat që do të hidhen përpara hotelit ku Rama do të zhvillojë takimin me mbishkrimin “Liri për Vorio Epirin”.
Tv Klan