Pavarësisht deklaratave kontradiktore mes autoriteteve shqiptare për të kthyer në normalitet fshatin e rrënuar të Gërdecit dhe diplomatëve të huaj lidhur me rrezikshmërinë e jetës aty, banorët e zonës janë të vendosur që të vazhdojnë jetën, duke u përpjekur të rikthejnë çdo gjë në normalitet siç ishte para tragjedisë së 15 marsit. Me afrimin e stinës së vjeshtës ata do të fillojnë të punojnë tokat dhe të mbjellin për të marrë prodhimet e tyre vitin tjetër.
Banorët që gjenden në fshat nuk pranojnë që tokat e tyre janë shndërruar në të pafrytshme pasi këtë zyrtarisht nuk ua ka pohuar askush.
“Për këtë vit ne e kemi të gjitha me të blerë, shkojmë në dyqan. Vitin tjetër do të punohet, do vazhdohet si gjithmonë.”
“Pse mos t’i punoj toka, toka këtu s’ka barut, baruti ka shpërthyer në ajër, ka ikur, në tokën time nuk ka barut.”
“Morëm lekët dhe kanë dalë analizat që fshati të mdërtohet, të vazhdojmë punën se fshati është nën kontroll. Ajri është i pastër, uji është i pijshëm. Ne na kanë thënë se fshati ëhstë i banueshëm.”
Ndërkohë ndërtimi i shtëpive të rrafshuara nga shpërthimi fatal i 15 marsit vazhdojën me intensitet të lartë. Për banorët është absurde që rrezikshmëria e zonës të deklarohet 5 muaj pas shpërthimit, në një kohë kur një pjesë e banesave të shkatërruara janë në përfundim e sipër.
“Ambasadori i është drejtua ministrit tonë që mos i lër të jetojnë banorët se është zonë e pabanueshme.”
“Pse të jem i frikësuar nga kjo, çfarë plasi, plasi.”
“Njëri tha, që vazhdoni bëni shtëpitë, tani del kjo dhe njerëzit janë bërë si të shushatur tani, nuk dinë se çfarë të bëjnë. Se çfarë plani kanë këta nuk e di.”/tvklan.al
Gazetare: Anila Rama
Operator: Isdor Rudho
Montazh: Renis Zela