Prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku ka bërë thirrje në Shkodër që autorët e gjakmarrjes të gjykohen përpara drejtësisë dhe të dënohen. Mjaft të dëmshme janë krimet kundër jetës, autorët e të cilëve duhet të dalin sa më shpejt përpara ligjit, sepse drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, është shprehur Sollaku. Prokurorët nuk duhet të ndikohen, sipas tij, nga veprimet e gjakmarrjes, por t’i trajtojnë autorët të barabartë me ato të krimeve të tjera.
Theodhori Sollaku: “Në krimet kundër jetës, shqetësuese janë ato që lidhen me fenomenin e gjakmarrjes. Për procedimin e këtyre rasteve, prokurorët duhet të jenë në lartësinë e detyrës për t’i hetuar shpejt dhe për të kërkuar në gjykatë dënim të autorëve sipas ligjit, i cili, në këto raste, është i ashpër. Toleranca dhe sentimenalizmi në këto raste janë të dëmshme. Ato nuk parandalojnë, por nxisin zbatimin e normave të Kanunit. Mendësitë që, vrau se i kanë vrarë dhe në këto kushte u bënë një me një, nuk duhet të ndikojnë në punën e prokurorëve të cilët janë të detyruar të zbatojnë vetëm ligjin.”
Këtë deklaratë Sollaku e tha në ambientet e reja të Prokurorisë së Rrethit të Shkodrës, të cilat u inauguruan. Fondi i dhënë është 10 mln lek të investuara nga buxheti i shtetit. /tvklan.al