Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Janë gratë shamizeza të fisit Hila në Shkodër, iu kanë vrarë burrat dhe djemtë. Ndërsa në qendër të Shkodrës, shenja simbolike e nismës Mjaft proteston kësaj radhe kundër gjakmarrjes, në një lagje të qytetit qëndrojnë të ngujuar meshkujt e tjerë të mbetur gjallë.

Ndër 5 vrasjet e kryera nga gjakësi, më e rënda është vdekja e Zefit. Djali ishte ngujuar që fëmijë për një histori, ku faj kishte vetëm xhaxhai i tij. Në vitet e ngujimit, Zefi kishte guxuar të dilte vetëm pak metra larg pragut të shtëpisë, ku dhe u vra ende pa mbushur 17 vjeç. Viktima tjetër në shtëpi është Marashi, që nuk guxon të dalë jashtë shtëpisë, pasi aty e pret dënimi me vdekje njësojë si vëllain e tij.

Marashi:- “Jam 13 vjeç, kemi frikë të dalim jashtë rrethit të shtëpisë dhe kemi 8 vjet që jemi në gjak, gjithë meshkujt jemi të ngujuar. Në shkollë kam dy vjet që nuk shkoj dhe kemi frikë të dalim”.

Megjithëse nuk kanë kaluar ende 12 muaj nga vdekja e djalit të madh, dy prindërve u dhemb njësoj, si për djalin e vdekur dhe për atë që kanë në shtëpi të gjallë.  

Babai:- “Në muajin Prill mbushet një vit që më vranë djalin e madh 17 vjeç. Prapë vazhdojmë të jemi të ngujuar, kam edhe një çun tjetër 13 vjeç, e kam pa shkollë, nuk ka të drejtë që të dali është i ngujuar edhe ai brenda. E kam shumë të mërzitur, në qoftë se ka mundësi kam qejf ta largoj që këtej, me ndihmën e shtetit ta kaloj jashtë shtetit”.

Lula, nëna e djalit të vrarë dhe i fëmijës tjetër të ngujuar, shprehet se është gat i të japë gjithçka për të shpëtuar djalin e mbetur, por e vetmja pasuri është ky mur me blloqe që i ndan nga territori i vdekjes. Jashtë shtëpisë mund të dalë vetëm nëna e Marashit, e cila punon për të ushqyer burrin dhe djalin e ngujuar./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj