Një punonjëse e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale të Durrësit dhe një gazetar janë arrestuar nga policia. Ndërkohë është shpallur në kërkim edhe një 39-vjeçar, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

“Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti”, njoftoi policia në lidhje me arsyen e arrestimit të dy personave dhe shpalljes në kërkim të tjetrit.


Siç ka mësuar gazetari Besar Bajraktaraj në pranga janë vendosur efektivja e AMP-së, Regina Omeri, 34 vjeçe dhe gazetari Ervis Hasanaga, 35 vjeç. Ndërkohë në kërkim është shpallur Kushtrim Selimi. Aksioni për kapjen e tyre u kodua “Antonimet” dhe u organizua nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Tiranë.

Sipas të njëjtave burime, hetimet ndaj tyre kishin nisur pas denoncimit të një personi që ishte denigruar nga shkrimet në një portal.

Në këtë portal këta persona publikonin lajme të rreme me qëllim dëmtimin e imazhit të personave të ndryshëm, kryesisht zyrtarë. Qëllimi ishte përfitimi monetar për t’i fshirë më pas postimet.

“Kjo faqe portali dyshohet se përdorej për gjobëvënie”, ka mësuar gazetari Bajraktaraj./tvklan.al