Ditën e sotme Gjykata e Apelit ka marrë vendimin, ku sipas të cilit vula e Partisë Demokratike të Shqipërisë i takon liderit historik të demokratëve Sali Berisha.
Për të folur lidhur me këtë ngjarje në studion e Klan News me gazetarin Besard Jacaj ishte sekretari zgjedhor i PD, Ivi Kaso i cili e ka quajtur rastin e vulës së Partisë Demokratike dhe vendimin e ditës së sotme si një drejtësi e vonuar.
Kaso ka theksuar se ishte një vendim i pritshëm ky i ditës së sotme pasi ishte legjitimuar nga dy palë zgjedhje. Ndër të tjera Ivi Kaso theksoi se vendimi i sotëm shpreson të largojë mëritë e demokratëve mes njëri-tjetrit ku u shpreh se dera e shtëpisë së madhe të demokratëve është e hapur për të gjithë opozitarët.
Ivi Kaso: Është një vendim i formës së prerë që i jep fund një sage prej më shumë se dy vite e gjysmë kur flamuri i PD ishte marrë peng nga maxhoranca dhe ishte stimuluar një konflikt i brendshëm mes demokratëve të cilët për fat të mirë sot me anë të kësaj vendimmarrje merr fund duke zhdukur hendekun që na mbante ne larg nga një numër edhe pse më i vogël i vëllezërve dhe motrave demokrate që e shihnin legjitimitetin e PD atje ku ishte dhe jo sikundër n’a dha sot të drejtë Gjykata e Apelit.
Më në fund flamuri i Partisë Demokratike u kthye në shtëpi. Shtëpia e madhe e demokratëve është e hapur për të gjithë dhe n’a takon që të bëjmë ç’është e mundur që opozita të ngrihet në lartësinë e pritshmërisë së qytetarëve dhe të bëjë një opozitë të fortë përpara këtij regjimi. Është ajo që drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar dhe ky është rasti tipik i saj. Fakti që bëhet drejtësi me vonesë sigurisht është një lajm i mirë, por nuk dëshmon një episod i vetëm në pavarësinë e organeve të reja të drejtësisë.
Formalisht kjo vendimmarje është e prerë. Nga ana tjetër kjo nuk e pengon palën tjetër që kishte bërë ankimin sot pavarësisht se gjykata vendosi që nuk kishte të drejtë të bënte ankim, të bëjë rekurs ndaj këtij vendimi në gjykatën e Lartë pavarësisht se zotimi i tyre ka qenë që do ta pranojnë vendimin e Gjykatës. Ne presim që ata t’i përmbahen zotimit të tyre publik, por nuk do të çuditeshim nëse do ta harronin menjëherë sot këtë zotim.
Ne shpresojmë që për të mirën e demokratëve që kjo të lexohet si një shanc që gjykata ju jep demokratëve për të harruar mëritë mes njëri-tjetrit dhe për të bërë atë që duhet të bëjnë gjithë demokratët dhe opozitarët e këtij vendi dhe më pas gjithë shqiptarët të drejtuar nga opozita, për të bërë opozitë të fortë ndaj këtij rregjimi dhe më pas për të siguruar rotacionin në procesin zgjedhor vitin e ardhshëm./tvklan.al