Gjykata e Shkodrës ka liruar shefin e policisë së zonës Gruemirë në Malësinë e Madhe, Berhan Bajrakurti, i cili u shfaq në një video intime 2 javë më parë me pretendimet se ngacmonte seksualisht një 15-vjeçare përmes telefonit. Bajrakurti u vu në pranga nga kolegët e tij me 11 Shkurt, ndërsa më 14 Shkurt Gjykata e Shkodrës caktoi masën e sigurisë arrest me burg me afat 30 ditë. Por deri tani, askush nuk i është drejtuar policisë për të marrë përsipër akuzat dhe për të zyrtarizuar denoncimin.

Për këtë grupi hetimor ka dyshime se mund të bëhet fjalë për një lajm të rremë. Më herët prokuroria ka kërkuar që Bajrakurti të hetohet me masën e sigurisë arrest me burg për 30 ditë, deri në kryerjen e akt ekspertimit të telefonit të efektivit. Seanca e së premtes për rivlerësimin e masës së sigurisë është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa burime pranë togave të zeza bëjnë me dije se Bajrakurti ka mohuar të ketë ngacmuar ndonjë person.

Bajrakurti u soll në gjykatë me ambulancë pasi ka shfaqur probleme shëndetësore kryesisht kardiake. Kjo ka qenë edhe një nga arsyet që gjykata ndryshoi masën e sigurisë. Nga ana tjetër policia pretendon se mbi këtë çështje nuk ka marrë asnjë denoncim nga ndonjë banore e zonës, apo nxënëse në Shkodër.

Tv Klan