Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja dhe njeriu i tij i afërt Ahmet Masha, u lanë në qeli pa afat nga Gjykata e Posaçme e cila miratoi këtë të martë masat e dhëna në mungesë për ta.

Ai u shoqërua herët në mëngjes pranë Gjykatës së Posaçme dhe në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, nëpërmjet avokates së tij, mohoi të ketë përdorur Sky duke kundërshtuar akuzat për të cilat e dyshon SPAK.

Ky i fundit përballë gjyqtarit të masës mbajti të njëjtin qëndrim atë të vijimit të masës së sigurisë dhe renditi provat e grumbulluara me bazë komunikimet në aplikacionin e koduar të Çyrbjes dhe përdoruesve të tjerë.

Prokuroria e Posaçme thotë se ish-deputeti është përfshirë në korrupsion zgjedhor, pasi duke përkrahur dhe dhënë informacion Altin Hajrit, një të shumë kërkuari për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës në Kamzë, ka përfituar prej tij vota në zgjedhjet e 2021.

Gjithashtu SPAK ka gjetur komunikime ku Çyrbja rezulton të ketë dekonspiruar disa operacione të Policisë për kontrolle me qëllim arrestimin e personave në kërkim në qarkun e Durrësit.

Për dekonspirimin e operacioneve Prokuroria vijon hetimet për të zbuluar zyrtarët e policisë dhe institucioneve hetimore që kanë nxjerrë sekretet shtetërore duke vënë në dijeni ish-deputetin.

Tv Klan