Kryeministri Edi Rama u pyet këtë të Enjte në “Opinion” edhe për arrestimin e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja.

-Kjo është lista e kandidatëve për deputet të PS-së në Durrës. Jurgis Çyrbja rezulton sipas përgjimeve të SPAK që është kandidat i grupeve kriminale i vendosur në pozicionin e tretë. Ka lëvizur nga i pesti tek i treti.

Edi Rama: E para punës njëherë hetimi nuk është për këtë dhe nuk rezulton kështu. Këto janë broçkullat që fliten nëpër telefonat e bandave. Nuk është aspak e pamundur që në një vend si yni njerëzit të dinë diçka paraprakisht dhe të flasin. Ai është sot subjekt i drejtësisë për një temë që e ka sqaruar vetë organi që ka vepruar.

-Ka marrë dokumente shtetërore sekret dhe ua ka dhënë bandave.

Edi Rama: Për ato arsye që thotë organi përkatës, ai është sot prapa hekurave. Për këtë e kemi ndërtuar drejtësinë. Përzgjedhja e njerëzve bëhet mbi bazën e atyre që di, jo mbi bazën e asaj që njerëzit mund të bëjnë nesër. Shumë njerëz në rrugën e jetës devijojnë, bien në grackën e përfitimit të paligjshëm dhe për këtë arsye ka një sistem që i ndëshkon. Edhe në familje mund të ndodhë që fëmija që ke rritur e edukuar, mund të ndodhë që të del binarëve.

Gazetari Blendi Fevziu i përmendi edhe faktin që 3 emra nga kjo listë deputetësh kanë probleme me drejtësinë, përkatësisht Rrahman Rraja, Jurgis Çyrbja dhe Lefter Koka.

Kreu i qeverisë u përgjigj kështu: Pse i fut të gjithë në një thes?! Rrahman Rraja ka dhënë dorëheqjen dhe s’ka pasur ndonjëherë probleme me drejtësinë. Nuk ka arritur dot të menaxhojë ose të ketë një djalë që nuk ia nxin faqen.

Ai shtoi se reformën në drejtësi që tanimë po funksionon e ka sjellë Partia Socialiste dhe jo amerikanët.

/tvklan.al