Me 18 vjet burgim është dënuar nga Gjykata Themelore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.
Gjykata e ka shpallur fajtor për tri vepra penale, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.
Trupi gjykues konstatoi se përtej dyshimeve të bazuara, Pjetër Shala është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.
Në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Shala u shpall i pafajshëm për pikën dy të akuzës.
Mappie Veldt –Foglia, kryetare e trupit gjykues: Në emër të popullit të Kosovës, në bazë të neneve 43, 44, ju shpall ju z. Shala fajtor për veprat penale, ndalim arbitrar, torturë si krim lufte, vrasje e paligjshme si krim lufte në bazë të nenit 14, si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Ju shpall të pafajshëm për trajtim mizor.
Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 Majit 1999 deri më 5 Qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje si krim lufte kundër një personi.
Klan News