Rindërtimi i skenës së krimit për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan pak ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit 3 vite më parë, ka nxjerrë në konkluzion se pranë viktimës ka patur persona që kanë qëlluar. Ky përfundim është arritur nga një ekspert i policisë dhe një i pavarur, të cilët deklaruan në gjykatën e Apelit, se personi që ka qëlluar ka qenë jo më larg se 1 metër.
Sipas ekspertëve në trupin e viktimës Xhuvani janë gjetur faktorë plotësues që mund të jenë kontaminuar nga një qitës pranë tij. Gjurmët e Barutit sipas ekspertëve Arjan Hako, Shpëtim Budo dhe Artan Rexhepi u konstatuan në rroba, pasi Xhuvani nuk dispononte armë.
Sipas ekspertëve, viktima Pjerin Xhuvani mbërriti në vendngjarje i shoqëruar nga disa persona, dhe dy grupimet u konfrontuan me njëri-tjetrin në prani të policisë së Elbasanit.
Ekspertët thanë në sallën e gjyqit se referuar pamjeve të kamerave të sigurisë, konflikti i armatosur filloi nga pozicioni ku ndodhej viktima, dhe reagimi i Paplekajt besohet se erdhi pasi identifikoi persona duke qëlluar.
Gjatë debateve të zhvilluara në sallën e gjyqit, Paplekaj pyeti ekspertët se çfarë pozicioni kishte viktima kur u qëllua, statik apo në lëvizje. Tre ekspertët, Budo, Hako dhe Rexhepi u shprehën se ka patur pozicion lëvizës me drejtim për para.
Pasi u dëgjuan ekspertët dhe pyetjet e Paplekajt, togat e zeza të Apelit mbyllën shqyrtimin gjyqësor, duke i dhënë kohë për konkluzionet përfundimtare palëve, avokatëve dhe prokurorit, duke caktuar datën 24 Maj për seancën e radhës.
Të pandehur për ngjarjen e ndodhur më 21 Prill të vitit 2021, janë dhe dy ish-nëndrejtorët e Policisë së Elbasanit, Nikollaq Palla e Albert Nushi si dhe 6 efektivë të Shqiponjave.
Klan News