3-vjeçari i zhdukur prej një jave është rikthyer në krahët e nënës së tij. Ai është dorëzuar në Policinë e Durrësit nga gjyshja e tij Bahrije Gjuni, e cila e mbajti për rreth 1 javë.
“Çuni është shumë mirë, është në duar të sigurta. Shumë keq e kam përjetuar, por shumë faleminderit Policisë së Shtetit, të gjithëve edhe mediave. Tani po iki në shtëpi”, u shpreh nëna e 3-vjeçarit.
Pas dorëzimit të 3-vjeçarit në polici, këta të fundit kanë vënë në pranga 57-vjeçaren për akuzën “marrjes padrejtë të fëmijës”. Lidhur me shkaqet që e shtynë atë për të ndërmarrë këtë veprim, Bahrije Gjuni është shprehur se ka dashur ta rrisë vetë fëmijën.
Sakaq, ajo ka shtuar se gjatë këtyre ditëve, fëmijën e ka fshehur në Kukës dhe Has tek disa të njohur të familjes, si dhe në Tiranë.
Bahrije Gjuni ishte shpallur në kërkim së bashku me vëllain e saj, pas dyshimeve se ajo kishte marrë nipin për ta larguar nga nëna e tij, e cila referoi rastin në polici.
Më herët për zbardhjen e kësaj ngjarje më herët uniformat blu kanë arrestuar gjyshin Rexhep Gjuni dhe kunatin e tij, Arben Selaj të cilët u lanë në burg nga gjykata.
Policia tha se ka ushtruar kontrolle të shumta në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë, të cilat ishin pa rezultat pasi asnjë prej të dyshuarve nuk tregonte vendodhjen e të miturit. Policia thotë se përveç kontrolleve ka kryer edhe negociata me familiarët për gjetjen e të miturit.
Ky i fundit u deklarua i zhdukur më 13 Prill nga nëna e tij 23-vjeçare e cila prej më shumë se 1 viti kishte humbur bashkëshortin në një aksident rrugor.
Tv Klan