Gazetari Eni Ferhati, i ftuar në emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus, ka publikuar një fotografi të Klement Çalës në vilën e Admir Muratajt në zonën e Prezës në vitin 2017.
Klement Çala, i arrestua së fundmi më 19 Mars 2020, dyshohet si një nga organizatorët kryesorë të grabitjeve të parave në Rinas.
Duke komentuar këtë foto, gazetari Ferhati thotë se Klement Çala ka shkuar në shtëpinë e të ndjerit Admir Murataj pak ditë pas grabitjes së vitit 2017.
Spartak Koka: Çfarë mund të themi për Klement Çalën? Ju na keni sjellë një foto të 2017.
Eni Ferhati: Mendohet dhe besohet nga grupi hetimor që ky person është Klement Çala. Është fiksuar në vitin 2017, në mos gaboj disa ditë pas grabitjes që ndodhi në rrugën e Rinasit. Ndërkohë që identitetin e personit përballë nuk kam arritur në fakt ta verifikoj se kush është.
Spartak Koka: Pra, Klement Çala në shtëpinë e Admir Muratajt në vitin 2017. Çfarë donte Klement Çala në shtëpinë e Admir Muratajt në atë kohë?
Eni Ferhati: Grupi hetimor ka arritur të paktën të vërtetojë të gjitha lidhjet e Klement Çalës me grupin e Admir Muratajt, dhe konkretisht me Admir Muratajn. Nuk e di për lidhje me Aleksandrin, i cili i paraqiti të gjitha objeksionet e tij lidhur me pozicionin e tij në këtë grup kriminal. Por Klement Çala dhe Admir Murataj është faktuar që kanë patur lidhje dhe vila e tij në zonë e Prezës është quajtur nga policia edhe si “strofulla e hajdutëve”.
Spartak Koka: Sa i rrezikshëm ishte Klement Çala?
Eni Ferhati: Klement Çala ishte në skedarët e policisë, por dhe nga informacionet që vinin nga autoritetet greke, një person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore. Besohet që ishte bashkëdrejtues i bandës me Admir Muratajn. Ajo çfarë bën përshtypje në gjithë këtë histori është se ky grup u zbulua në vitin 2017, u arrestuan disa persona. E pafalshme për policinë tonë është fakti që prej 2 vitesh këta persona arritën të riorganizohen sërish duke rekrutuar dhe persona të tjerë në bandën e tyre kriminale dhe bënë një goditje tjetër.
Spartak Koka: Si ka mundësi nuk u kapën?
Eni Ferhati: Ky grup mendohet që ka patur edhe bashkëpunëtor në radhët e Policisë së Shtetit. Ka patur edhe hetime për punonjës brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Kanë qenë 3 të dyshuar, mes tyre dhe një punonjëse femër e Komisariatit të Policisë së Vorës, e cila në atë kohë u kërkua madje që të ndiqej penalisht, por u pa e arsyeshme që vetëm të përjashtohej nga forcat e policisë. Ka patur dyshime për një agjent të krimeve në Komisariatin e Policisë së Rinasit, i cili gjithashtu nuk u arrit të vërtetohej se kishte lidhje me këtë bandë. Dyshimet bazoheshin në disa komunikime telefonike të këtij personi me Admir Muratajn. Komunikime të cilat besohet se jepnin informacion në lidhje me aktivitetin e blindave me para në zonën e Rinasit. Ky punonjës policie u largua nga Komisariati i Rinasit. Nuk është përjashtuar nga policia në dijeninë time. Personi i tretë mendohet që ka qenë në një sektor shumë të rëndësishëm të Policisë së Tiranës, në sektorin e kërkimit. Një sektor që kishte për detyrë të kapte Admir Muratajn, mendohet që nga aty Admir Murataj ka marrë informacione dhe janë dekonspiruar dhe ato pak indicie që ka patur policia për vendndodhjen e këtij personi dhe për arrestimin e tij. /klanplus